Sjellja e ministrit të shëndetësisë Arben Taravari kundrejt tragjedisë së familjes shqiptare nga fshati Simnicë është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e çuditshme. Në paraqitjet e tij vërehet qartë dëshira vetëm për të larë veten nga përgjegjësia të cilës nuk mund t’i ikë, por aspak nuk vërehet dhimbje për dy viktimat, nëse jo si ministër, atëherë së paku si bashkëvendas që i ka. Është kjo sjellje e çuditshme jo vetëm për një mjek, siç është z. Taravari, por edhe për një njeri të thjeshtë. Çdo ministër normal në kësi rasti do të ofronte dorëheqjen e tij. Mirëpo Taravari jo që nuk po jep dorëheqje, por në vend se të japë përgjegjësi para shqiptarëve të Simnicës, që humbën dy bashkëfshatarë të tyre, ai tani dy ditë me radhë po jep përgjegjësi para VMRO-DPMNE-së.
Në këtë mënyrë, me ose pa vetëdije Taravari po tregon se ndien më tepër përgjegjësi para VMRO-DPMNE-së, sepse ishte i vetmi ministër në qeverinë e re që mori përkrahje nga kjo parti, se sa para shqiptarëve. Është e vërtetë se shqiptarët i dhanë shumë pak vota Taravarit si kandidat për deputetë. Mirëpo prej momentit që ka marrë postin e ministrit, ai nuk guxon të tregohet hakmarrës ndaj shqiptarëve që nuk i dhanë mandat deputeti.