Ditëve të fundit në Komunën e Haraçinës në mënyrë intensive disa rrugë janë asfaltuar. Derisa kryetari i Komunës Brahim Ajvazi po mburret për punën që po e bën, një banor u ankua se për rrugën e asfaltuar në lagjen e tyre kanë paguar nga xhepi i tyre. Xhelal Arifi tha se disa herë kishte shkuar tek komuna për të kërkuar që edhe rruga e tyre të asfaltohet por përgjigjen të cilën e ka marrë ka qenë “S’ka Buxhet”.
“Kam paguar 5100 euro kjo rrugë është 126 metra dhe përfshin diku 510 metra katrorë. Këtu jemi 4 shtëpi që jetojmë kamë kërkuar prej komunës, dhe komuna më ka thënë se nuk kemi buxhet edhe për rrugicat me i bo me rrugë. Se di kanë shtruar ka rrugica që i kanë shtruar komuna por nuk më ka interesuar ajo punë”, tha ai.
Kryetari i komunës së Haraçinës Brahim Ajvazi pranoi se komuna nuk i ka shtruar gjitha rrugicat. Ai thotë se obligim i komunës është që ti shtron të gjitha rrugët, por buxheti që ka nuk i mundëson një gjë të tillë.
“Po është obligim i komunës varet prej buxhetit dhe mundësive, ne u kemi ndihmuar që në këtë rrugë mas pakti janë 4 rrugica, 170 metra 100 metra varet që ne ju kemi ndihmuar si komunë edhe në për rrugica që donë të thotë edhe tek shtëpij. Ky personi ka kërkuar që unë me i ndihmu për me e shtru rrugën por nuk kom pas mundësi me i ndihmuar”, tha ai.
Për rrugët që janë shtruar deri tani janë harxhuar tre milion denar. Projekti është financuar nga Drejtoria për Zhvillim, Ministria e Pushtetit lokal dhe nga komuna e Haraçinës.
Ndryshe banorët e Haraçinës disa herë kanë ngritur zërin për mungesë të ujit dhe të një çerdheje për fëmijë.