Në një prononcim, për Almakos, disa qytetare nga Shkupi thonë se viteve e fundit kemi rënie të numrit të lindjeve. Por, edhe dështimet në lindje janë të mëdhaja, për shkak, të ajrit të ndotur dhe produkteve ushqimore me kimikate. Sipas studentes Valbona Musliu, e cila studion për biokimi, thotë se përpos ajrit të ndotur që vjen si rezultat i aktiviteteve industriale, shkarkohen kimikatet, ku edhe pason ndryshimi në ujë, tokë, bimë barishtore, etj, ku edhe ndikon në jetën e njeriut, dhe në zhvillimin e embrionit, raporton Almakos.
“Ndotja zakonisht ndodh kur ndotësit infektojnë një mjedis natyror, i cili sjell ndryshime negative në jetesën tonë normale. Si pasojë e aktiviteteve industriale, krijohen çlirime të kimikateve, që në vetvete sjellin ndryshime kimike, fizike, biologjike e radiologjike, të ujit, ajrit, tokës etj. Rrjedhimisht, dëmi që shkaktohet në këtë rast është shumë i madh, tek secili prej këtyre elementëve thelbësorë për jetën e njeriut. Pra, ndotja në vetvete, shqetëson ekosistemin tonë dhe ekuilibrin në mjedis. Me modernizimin dhe zhvillimin e teknologjive që kanë hyrë gjerësisht në jetën tonë, ndotja ka arritur kulmin e saj, cka ka ndikuar jo pak edhe në shtimin e asaj që konsiderohet si një nga problemet më të mëdha të njerëzimit, ngrohja globale.”, tha Musliu, për Almakos.
Ajo shtoi se mbetjet industrial ndikojnë në shëndetin e njeriut, duke konsumuar produkte ushqimore, të cilët infermierët vadisin kopshtet me ujë të ndotur, ku edhe ndikon drejtpërdrejtë në kualitetin e ushqimit, që përdor njeriu.
“Efektet e ndotjes industriale ndikojnë në eko-sistem për shumë vite që pasojnë. Shumica e industrive kërkojnë sasi të mëdha të ujit për punën e tyre. Meqë ai përfshihet në një sërë procesesh, uji vihet në kontakt me metale të rënda, kimikate të dëmshme, mbetjet radioaktive madje edhe me llumin e mbetjeve organike. Këto mbetje mund të hidhen në oqeane të hapura apo lumenj. Si rezultat, shumë prej burimeve tona ujore, kanë sasi të lartë të mbetjeve industriale, të cilat kanë ndikim serioz në shëndetin tonë, por edhe në eko-sistem. I njëjti ujë, përdoret më pas nga fermerët, për qëllime të ujitjes e vaditjes, pra indirekt, ndotja ndikon edhe në cilësinë e produkteve dhe ushqimit që është prodhuar”, tha Musliu, për Almakos.
Qauser Kurtishi është banore e Shkupit dhe thotë se ka patur dy shtatëzani, të cilat i kanë dështuar, ajo nuk fajëson mjekët, por tregon se gjendja e saj e dobët ekonomike dhe papastërtia në lagjen “Makedonski Brod”, ka ndikuar në shëndetin e saj dhe në dështimin e shtatëzanive.
“Kam tre fëmijë, fal Zotit shëndosh e mirë. Do të kisha edhe dy të tjerë, por nuk ishte e shkruar, që të jenë në këtë jetë. Para se të më pyetni Ju se pse më dështuan këta dy shtatëzani, më kanë pyetur edhe shumë të tjerë, edhe ata që bënin kërkime për gjendjen ekonomike edhe ata një ambient të pastër. Besoj që ekonomia e dobët në familje, por edhe papastërtia, me ajër të ndotur në lagjen dhe në përgjithësi në Shkup, ka ndikuar në shëndetin tim. Nuk jam e vetmja që kam patur dështime, por kam dëgjuar edhe shumë gra të tjera, sidomos viteve të fundit”, tha Kurtishi, për Almakos.
Sipas të dhënave nga Enti Statistikor, në Maqedoni vitin e kaluar janë evidentuar 13.536 fëmijë të lindur të gjallë në mjediset e qyteteve ose 58,8 për qind nga numri i përgjithshëm. Në mjediset e fshatrave janë regjistruar 9.466 fëmijë të lindur të gjallë, njofton Enti Shtetëror për Statistikë i Republikës së Maqedonisë (MAKSTAT). Pjesëmarrje më të madhe lidhur me numrin e përgjithshëm të lindjeve, sipas rajoneve, ka rajoni i Shkupit me 36,8 për qind, ndërsa më të vogël ai Lindor me 6,7 për qind. Mosha mesatare e nënës gjatë numrit të përgjithshëm të lindjeve në rajonet e qyteteve është 29,5 vjet përkundër 27,9 vjet në rajonet e fshatrave. Mosha mesatare tek lindjet e para në rajonet e qyteteve është 28,1 vjet, ndërsa në ato të fshatrave 25,6 vjet. Gjatë lindjes së parë, për 2,6 për qind është më e re nëna nga rajonet e fshatrave.
Të dhënat statistikore tregojnë se vitin e kaluar në rajonet e qyteteve kanë vdekur 12.438 persona ose 60,9 për qind përkundër 7.983 të vdekur ose 39,1 për qind në rajonet e fshatrave. Pjesë- marrje më të madhe lidhur me numrin e përgjithshëm të të vdekurve, sipas rajoneve, ka rajoni i Shkupit me 29,3 për qind, ndërsa më të vogël ai Verilindor me 8,1 për qind. Në rajonet e qyteteve ka pasur 153 foshnje të vdekura, ndërsa në ato të fshatrave 120. Mosha mesatare e të vdekurve në rajonet e qyteteve është 72,1 për qind përkundër 72,8 vjet në rajonet e fshatrave ose moshë më të vjetër kanë persona e vdekur në rajonet e fshatrave. Pjesëmarrja në rritjen natyrore të popullsisë nga rajonet e qyteteve është 42,5 për qind, ndërsa 57,5 për qind nga rajonet e fshatrave. Në tre rajone ka paraqitje të rritjes negative natyrore, edhe atë në: rajonin e Pellagonisë, Lindor dhe Vardarit. Të dhënat për migrimet e brendshme, në kuadër të rajonit të njëjtë, tregojnë se pjesëmarrje më të madhe prej 35 për qind kanë shpërnguljet nga fshati në qytet. Në migrimet e përgjithshme në nivel të rajonit nga fshati në qytet, pjesëmarrje më të madhe ka rajoni Lindor me 46,8 për qind, ndërsa në atë të Pollogut më e madhe është pjesëmarrja e shpërnguljeve midis fshatrave me 58,3 për qind. Saldoja e migrimeve të jashtme është më e madhe në rajonin e Shkupit, ndërsa më të vogël në atë të Pollogut.
Delvina Kërluku
Almakos.com