Robert Sllavevski
Sot kujtojmë përvjetorin e atentatit ndaj ish presidentit Kiro Gligorov, e jo përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Megjithatë edhe ky përvjetor është rast i mirë që përveç presidentit Gligorov, të theksojmë edhe peshën e politikanit që zëvendësoi Kiro Gligorovin, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.
Maqedonia dhe maqedonasit patën fat që zbrazëtira e krijuar pas largimit të presidentit Gligorov nga skena politike, u plotësua nga një figurë e re dhe e mençur si Ali Ahmeti. Ai u bëri ballë të gjitha presioneve të ekstremistëve shqiptarë që herë kërkonin federalizim e herë ndarje të Maqedonisë. Ahmeti me mençuri dhe me maturi mori nën kontroll kryengritjen e shqiptarëve në vitin 2001, duke e kanalizuar këtë kryengritje nga një shpërthim ekstremist, në një gurëthemel për forcimin e Maqedonisë si shtet unitar.
I udhëhequr nga filozofia Gligoroviane, Ahmeti edhe pas vitit 2001 diti mirë të balancojë dhe t’i bindë shqiptarët se maqedonasit nuk kanë shtet tjetër, prandaj duhet ta pranojnë statusin e pakicës kombëtare. Këtë e bën në mënyrë të mençur, siç din ta bëjë vetëm një figurë e frymësuar nga figura dhe personaliteti i legjendës politike, Kiro Gligorovit. Nuk i provokon shqiptarët, por vazhdimisht u jep premtime maksimale, të cilat nuk i realizon dhe me këtë nuk rrezikon interesin e maqedonasve.
Po të mos ishte politika e mençur e Ali Ahmetit, policia maqedonase asnjëherë nuk do të mundej të realizojë aksionet e suksesshme policore që nga Sopoti e deri te Monstra dhe Lagja e Trimave. Ai u tregua ekspert për menaxhimin e revoltës shqiptare, duke ditur gjithnjë ta kanalizojë atë revoltë për forcim edhe më tepër të karakterit unitar të Maqedonisë.
Maqedonasit duhet ta përkrahim BDI-në dhe Ali Ahmetin që të përballen me rreziqet e reja që po na kanosen, e para së gjithash me kërkesën për ridefinim të shtetit. Pa dallim ngjyrash partiake, pa dallim a jemi me VMRO-DPMNE-në, apo me LSDM-në, ne si maqedonas duhet të jemi bashkë në anën e Ahmetit dhe BDI-së në këto momente të vështira, kur po e humb terrenin te shqiptarët, sepse zhdukja e BDI-së nga skena politike i shkakton dëme të mëdha interesit maqedonas.
(Autori prezantohet si intelektual maqedonas. Qëndrimet e shprehura në rubrikën Opinione jo çdo herë janë qëndrime të redaksis)