Njohësit e rrethanave politike, vlerësojnë se veprimet e tanishme të BDI-së, dëshmojnë se faktori politik shqiptar që nga vitet e 90-ta e sidomos pas vitit 2002, ka mundur të funksionojë ndryshe, të imponojë marrëveshje politike, e jo të hyjë në Qeveri pa ndonjë marrëveshje të nënshkruar me partnerin politik maqedonas. Sipas analistit politik, Sefer Tahiri, ky është një moment politik, i cili duhet të shfrytëzohet, por në të njejtën kohë duhet të hapet çështja se pse deri më tani nuk është funksionuar në këtë mënyrë.
Tahiri, tha se marrëveshja që vendoset nga BDI, më tepër ka të bëjë me arritjen e pikëve politike para elektoratit shqiptar, duke shtuar se kjo parti tenton tani që të shpëtojë nga rënia e mëtutjeshme duke u paraqitur si parti e cila mbron interesat etnike.
“Unë konsideroj se kjo mënyrë dëshmon esullimin e faktorit politik shqiptar, por duhej të dënohej ky faktor politik, pra BDI-ja, duhej ti përgjysmoheshin votat dhe të vinte në pikën kur duhej ta kuptonte se duhej ti kthehej agjendës shqiptare apo agjendës së kërkesave legjitime etnike të shqiptarëve dhe në fakt nuk do të ishin disa prioritete tjera siç ishin interesat klanore apo interesat grupore apo disa interesa që kanë të bëjnë me këtë subjekt apo me grupacionet e këtij subjekti politik.”, ka thënë Sefer Tahiri, analist politik.
Ai poashtu tha se në këtë situatë kur veprohet me ultimatum, do të jetë pak e vështirë që të arrihet qeveria se shpejti, megjithatë ai e cilëson këtë si një moment të volitshëm që LSDM të dëshmojë se është një parti e hapur dhe demokratike e cila ka përgjegjësi ndaj votuesve të vet shqiptarë.
E ndërsa sipas analistit politik Ismet Ramadani, partitë politike kishin mjaft kohë, dhe tani duhet t’u jepet fund këtyre taktizimeve, pasi të njejta kur teprohen mund të jenë të dëmshme. Ai vlerëson se duhet të formohet një Qeveri dhe të punohet me seriozitet për t’u kthyer vendi në binarët e duhur.
“Mendoj se derisa mund të jetë e durueshme kjo taktikë e veprimit të partive politike të cilët po bisedojnë për të formu qeverinë. Duhet ti japin fund sepse ka fillu të krijohet nervozë. Edhe ashtu kjo krizë politike nuk don shumë që të krijohen tensione të cilat pastaj na paraqiten si incidente aty këtu. Dhe organizime të forcave të cilat janë destruktive dhe të koordinuara nga VMRO- DPMNE-ja që të krijojnë një ambient politik për të pamundësuar formimin dhe funksionimin e një Qeverie të re”, ka thënë Ismet Ramadani, analist politik.
Analistët vlerësojnë se situata aktuale politike, ngjason me një lloj telenovele politike, të cilës i kanë mbetur edhe disa episode deri në një epilog eventual.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Powered by WPeMatico