Koalicionet e arritura, për dikë mund të kenë epilog triumfal, e për dikë tjetër fatal. Kështu thonë analistët duke i komentuar koalicionet Aleanca-BESA dhe LSDM-BDI.
Koalicioni Besa-Aleanca, sipas gazetarit Isen Saliu është historik, pasi sipas tij, ndërpritet një praktikë e mungesës së bashkëpunimit në mes të subjekteve serioze shqiptare mes veti. Ai tha se subjektet e deritanishme nuk e kishin aspak problem të arrijnë marrëveshje dhe të bashkëpunojnë me partitë maqedonase dhe të jenë në koalicion me ta edhe kur shqiptarëve u ndodhnin tragjedi të mëdha si “Monstra”, “Sopoti”,”Brodeci” dhe Lagjja e Trimave.
Ndërkaq, koalicionin BDI-LSDM, ai e cilësoi si jo të natyrshëm duke iu referuar qëndrimeve të këtyre partive para zgjedhjeve parlamentare.
ISEN SALIU, GAZETAR
“Mendoj se koalicioni Aleanca me BESËN është koalicion që buron nga vullneti i shqiptarëve. Kemi një koalicion që ka kapacitet që të mbrojë votën shqiptare dhe të sjellë ndryshime që do të hapin rrugën në komunat shqiptare nëse jo më të zhvilluara, atëherë të jenë të zhvilluara njësoj si komunat tjera maqedonase. Koalicioni LSDM-BDI është një koalicion jo i natyrshëm, nëse bëjmë krahasim me qëndrimet e këtyre partive publikisht të shprehura para 7-8 muajve, para zgjedhjeve të 11 dhjetorit, është koalicion që sap o e vërej unë, nuk pranohet mirë as te një pjesë e madhe e strukturave të këtyre partive dhe një pjesë e madhe e anëtarësisë, e bazës partiake”
Ndërkaq, sipas profesorit universitar Selam Isejni, koalicioni Aleanca me BESË do të duhet të jetë kontribut plotësues i skenës politike dhe demokracisë në vend. Ndërkaq sa i takon atij të LSDM-së dhe BDI-së, Isejni tha se koalicionimet e kësaj natyre mund të jenë me epilog triumfal për dikë, e për dikë tjetër me epilog fatal.
SELAM ISEJNI, PROFESOR UNIVERSITAR
“Koalicionimet gjithmonë janë politikisht legjitime edhe në këtë situatë nuk mund të bëjmë përjashtim. Pavarësisht se si mund t’i cilësojmë për nga përbërja këto koalicionime dhe rezultati final që pritet të dalë nga ky bashkëpunim, do të duhet të jenë kontribut plotësues i skenës politike dhe demokracisë në vend. Ndërkaq, sa i takon koalicionimit BDI-LSDM, këtu në rastin konkret do të verifikohet pjekuria politike e aktorëve politikë si dhe orientimi eventual i shoqërisë tonë drejt konceptit multietnik. Po në veçanti do të jenë të rëndësishme për faktin se në fund të fundit do të jenë me impakt kapital për disa nga aktorët e skenës politike, këto koalicionime në rastin konkret mund të jenë me epilog triumfal, e për dikë me epilog fatal”
Gazetari Saliu, thotë se koalicionimi mes dy subjekteve politike shqiptare, hap rrugën për ndryshime tek shqiptarët e maqedonisë, për pengimin e një dukurie negative që vërehet për gjatë kohë siç është vjedhja e votave të shqiptarëve, manipulimi apo blerja e tyre./Ajnur Bafqari