Zgjedhjet e fundit nuk krijuan srabilitet politik në vend pavarësisht prtshmërive për të dalë nga kriza politike në Maqedoni. Kështu vlerëson analisti politik, Selim Ibrahimi, i cili në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA shtoi se në vend u krijua një realitet i ri politik me rënie të konsiderueshme të mbështetjes për BDI-në dhe ngritjen e partive të reja, Lëvizjes BESA dhe LR PDSH-së.
Sipas tij, platforma e përbashkët e partive shqiptare është bërë problem për partinë e Gruevskit, por nga ana tjetër, ajo parti shqiptare që do të koalicionojë me VMRO-DPMNE-në do të dëmtohet shumë.
“Zgjedhjet e parakohshme Maqedonisë nuk do t’i sjellin një situatë të re, qoftë edhe nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale në mars ose prill. Ajo që duhet parë është se si partitë politike shqiptare do të hyjnë në Qeverinë e Maqedonisë qoftë ajo tani ose eventualisht nga zgjedhjet e marsit ose prillit”, deklaroi Ibrahimi.
Nga ana tjetër, opinionisti Azam Dauti vlerëson se Presidenti, Ivanov, në mënyrë jokushtetuese ia ka dorëzuar mandatin VMRO-DPMNE-së për formimin e Qeverisë.
“Nga kjo rrjedh se VMRO-DPMNE kontaktet e para i ka paralajmëruar me BDI-në, që don të thotë duke e paralajmëruar atë se i ka 51 mandate edhe 10 të BDI-së bëjnë 61, mirëpo shikuar realisht koalicionet bëhen në bazë të programeve të partive politike. Fushata elektorale që përcakton orientimet programore dhe realizuese gjatë mandatit të tij që e paramendon, janë krejt të kundërta me atë të partive politike shqiptare”, tha Dauti.