Analisti Hani për Almakos: Partitë të kenë synim barazinë me komunitetin maqedonas dhe jo postet

Kryesore | Publikuar më 19.05.2017 në ora 16:42

Sot liderët respektiv të dy partive, BDI dhe LSDM, janë takuar për të diskutuar për formimin e qeverisë se re të Maqedonisë. Në një deklaratë për mediat, Petre Shilegov, nga LSDM tha se  bisedimet do të vazhdojnë në mënyrë intensive, që qeveria të formohet sa më shpejt.

Takime janë mbajtur dje me Lëvizjen BESA , ndërsa sot me BDI-në, por ende nuk ka informacione konkrete se cfarë është biseduar dhe deri ku është arrirë.

Sot, kreu  i BDI-së, Ali Ahmeti, gazetarëve iu tha se për mbarëvajtjen e takimit do të informohen nëpërmjet kumtesës. Një ditë më parë nga BDI, me qëndrimin se duan të kenë dikasteret që kanë pasur deri më tani, ku këtu risi është posti i kryeparlamentarit, që tashmë e kanë.

Ndërsa, bisedime pritet të mbahen edhe me “ Aleancën për shqiptarët”. Nga kjo aleancë thanë se vendimin përfundimtar për pjesëmarrjen ose jo në Qeveri do ta marr kryesia Qendrore e partisë. Nga kjo parti thanë se së shpejti do të kenë mbledhje të Kryesisë Qendrore, në ndërkohë pritet edhe kthimi i kryetarit Zijadin Sela, nga trajtimi jashtë vendit.

Sa u përket  kërkesave, nga Lëvizja Besa, nuk luhaten. Kjo parti ka disa kërkesa:

– Në qeveri të mos ketë persona të inkriminuar apo të dyshuar në afera që kanë dëmtuar interesin publik.
-Ridefinimi i shtetit.
-Marrëveshja qeveritare të jetë transparente për publikun.

Por, ku nuk duhet të lëshojnë pe partitë shqiptare?

Sipas analistit, Albert Hani, partitë politike shqiptare,  duhet të synojnë përafrimin e statusit të barabartë me komunitetin maqedonas, si dhe përafrimin e mundësive të barabarta në resurset materiale dhe humane të shtetit, ndërsa më pak duhet të përqëndrohen në poste.
Hani shtoi se partitë duhet të punojnë që të ndihmojnë shqiptarët të mos luftojnë vet në në betejat për diskriminim, nënçmim dhe presion në gjithë sferat e jetesës në Maqedoni, si në: edukim, biznes, gjyqësi, siguri, kulturë etj.

Almakos.com

Evi Shkopi