Autori Zeni Ballazhi, mohon se është plagjiaturë logoja e 10-vjetorit të Pavarësisë

Kosovë | Publikuar më 13.01.2018 në ora 21:30

Pas publikimit se edhe logoja e dytë për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës , kishte ngjashmëri me atë të Kongresit të Partisë Shqiptarë të Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka reaguar krijuesi i saj.

Zeni Ballazhi, autor i logos së dytë, ka thënë për Telegrafin se logoja dhe Medalja Presidenciale si shenjë festive, ngjyrat e logos vizualisht janë nga flamuri i Republikës së Kosovës.

Sipas tij, kjo logo është kompozuar figurativisht me shiritat festiv të cilët krijojnë numrin dhjetë bashkë me simbolin e shtetit, kombinim i numrit me simbolet e shtetit si një mesazh feste për shënimin e këtij viti jubilar.

“Kjo logo ka edhe karakteristikë të veçantë gjatë këtij segmenti kohorë 10 vjet pavarësi si ato kulturore, historike shoqërore me një kreaturë artistike të përshtatshme për të kombinuar mesazhin e dedikuar për pavarësi si një shenjë identifikuese për këtë manifestim. Kjo logo (medalje) nuk sfidon simbolet e shtetit, por është një stilizim i numrit dhjetë enkas për këtë manifestim jubilar dhe yjet duke reflektuar zhvillimin e Republikës së Kosovës drejt BE-së”, ka thënë Ballazhi, për Telegrafin.

Më tej ai ka sqaruar se është autor edhe i logove të tjera, siç ajo e  BDI-së dhe se mund të kenë ngjashmëri.

Ndonjëherë veprat e mia mund të kenë edhe ngjashmëri, sepse i punoj dhe ripunoj gjithmonë me stilin timin dhe vijat e mia, që të jem më unik. Pra, janë vepra të dizajnuara, që mbrohen me të drejtë të plotë autoriale, sepse janë edhe vazhdimësi e punës sime, stilit tim, avancimit tim prej vitesh. Jam i vetëdijshëm për atë që bëj dhe publikoj, prandaj shpifjet që mund të bëhen në këtë drejtim dhe publikimi apo keqpërdorimi i veprave të mia pa të drejtë është i dënueshëm. Ju kisha lutur që para se të publikoni ndonjë gjë të dyshimtë, të keni burimin e saktë dhe të sigurt, që të mos bini në kundërshtim me vetveten”, ka theksuar Ballazhi.

Ndryshe, dy ditë më parë kur u publikua logoja e re,  Presidenti Hashim Thaçi, tha se vlerëson punën e Këshillit Organizativ për ta anuluar logon tjetër pas shqetësimeve në ngritura në publik./Telegrafi/