Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me Forumin e Grave, të cilat i ka ftuar të bëhen pjesë e protestës së 18 shkurtit, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një protestë të thjeshtë të opozitës.
Në fjalën e tij në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe eurodeputetja Doris Pack, Basha ka vënë në dukje se PD gëzon mbështetjen e Partive Popullore Europiane, që ka shumicën në Parlamentin Europian, që zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri të jenë të lira e të ndershme. Një arsye më shumë kjo, sipas Bashës, për të marrë pjesë në protestën e së shtunës.
“Më 18 shkurt Shqipëria do të mblidhet në Tiranë. Shqiptarët do të bashkohen jo thjesht në një protestë të thirrur nga opozita, por për të lajmëruar krijimin e një lëvizjeje të re, mbarëpopullore për demokracinë shqiptare”, ka thënë Basha.
Ai ka theksuar se, sot demokracia e Shqipërisë është marrë peng, ashtu sikurse ekonomia dhe shëndetësia, që kontrollohen, sipas tij, nga një grup oligarkësh.
Ndërkohë, “arsimi është në kolaps, fuqia blerëse ka rënë, bizneset familjare kanë mbyllur qepenat”, ka thënë Basha, i cili ka premtuar ndryshimin e kësaj situate.
“Shqipëria do të ketë taksat më të ulëta në Ballkan, që do të sjellin investime që hapin vende pune dhe që do t’i japin impulse të reja ekonomisë”, ka vijuar Basha.
Sa u takon grave, ai është shprehur se, sot ato janë kategoria më e persekutuar e këtij pushteti të papërgjegjshëm, “që ka marrë peng të ardhmen e vendit dhe gjithçka dhe që dëshiron të marrë peng votën e shqiptarëve”, ka shtuar Basha.
15 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)