Bashkim Ameti , me njerëzit dhe mjedisin

Shkruan: Julian ZYLA

Publikuar më 16.03.2017

 Julian ZYLA

Pak pas mbylljes së Jugohromit, një nga aktivistët më të zëshëm të mjedisit në Maqedoni, në një emision televiziv, papritur nuk kishte më argumente përballë ministrit të Mjedisit Jetësor Bashkim Ameti. I vetmi argument ishte akuza-dyshim se mbyllja e kombinatit mund të ishte e përkohshme, përpara zgjedhjeve.

Por, tashmë, edhe luftëtari i shoqërisë civile duket i bindur për seriozitetin e veprimit të ministrit. Organizata e aktivistit në fjalë publikon tani të dhëna rreth përfitimit që mjedisi dhe qytetarët kanë nga mbyllja e Jugohromit.

Por a po shqetësohet aktivisti për njerëzit që rrezikojnë vendin e punës? Apo po shqetësohet pronari i Jugohromit, i cili po përdor forcën e punës si forcë proteste, në vend që të vendosë filtrat?

Ministri i BDI-së, me seriozitetin dhe përgjegjësinë që i jep natyra e tij prej juristi dhe detyra e ministrit, është i vetmi që ka bërë thirrje për vendosjen e filtrave në mënyrë që punonjësit të mos humbasin vendet e punës, ndërkohë që informon publikun me të dhëna zyrtare për përmirësimin e mjedisit.

Jugohromi ishte edhe ndotës politik për Bashkimin Demokratik për Integrim. Kur ky kombinat ishte në gjendje pune, organizatat mjedisore ndërkombëtare njoftonin se, bazuar te standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqendrimi i ndotjes nga grimcat (PM10) në Pollog ishte tetë herë më shumë se normat e lejuara, dhe më shumë se dhjetë herë në dimër.

Ndotja, për të cilën Jugohromi kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme, po shkaktonte te njerëzit infektime në sistemin e frymëmarrjes, sëmundje të zemrës, infarkte, kancer dhe vdekje.

Drejtuesit e Jugohromit dukeshin të kishin mbështetjen e VMRO-DPMNE (siç u vërtetua edhe nga mikpritja së fundmi nga Dimitriev), duke e bërë të vështirë punën e BDI, e cila ishte shprehur vazhdimisht në krahun e banorëve të Pollogut. Kështu, mbyllja e Jugohromit nuk po shfaqej aq e lehtë.

Afatet shtyheshin dhe pakënaqësia e banorëve rritej paralelisht me nivelin e ndotjes. Kjo situatë ishte arsyeja pse njerëzit dhe luftëtari aktivist nuk besonin se kombinati do të mund të mbyllej pas skadimit të afatit të rradhës, në tetor 2016.

Kishte skepticizëm. Por kjo nuk pengoi ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Bashkim Ameti të rrëmbente armën e tij: ligjin. Ndërsa të gjithë ishin të zënë me emocionet përkatëse, ai ekzekutoi detyrën. Jugohromi u mbyll si shkelës i ligjit, pasi nuk kishte instaluar filtrat në kohë.

Tani, menaxherët përdorin punëtorët, meqenëse ende u paguajnë rrogën, për të ushtruar presion me anë të protestave. Ajo që do duhet të bënin është të zbatojnë ligjin dhe afatet e reja për vendosjen e filtrave. Ajo që punëtorët duhet të bëjnë është të protestojnë kundër neglizhencës financiare të kompanisë së tyre, e cila vonon investimin, e jo kundër mbrojtjes së mjedisit në të cilin jetojnë edhe ata vetë, me familjet e tyre.

Maqedonia mund të jetë në një situatë të paqartë politike, por ministri i Ekologjisë po tregon se ligji nuk bën pushim. Ai po mban në fuqi rrumbullakësimin e punës së bërë edhe nga paraardhës të BDI-së në atë ministri. Me mbylljen e Jugohromit, ministri Ameti po mban ajrin më të pastër për Pollogun, por edhe për partinë e tij.