13 Dhjetor
Ka dështuar edhe sot zgjedhja e kryetarit të këshillit të Komunës së Tetovës. Edhe pse kandidati nga radhët e PDSH-së Adnan Bilalli, mori 15 vota nga gjithsej 19 këshilltarët e pranishëm në seancë, dhe u bë betimi solemn, zgjedhja e tij, nga organet e Komunës së Tetovës nuk llogaritet si ligjore. Arsyeja që ai nuk pranohet është neni 47, paragrafi 2, i Ligjit për vetëqeverisje lokale, dhe nenit 19 paragrafi 1, nga rregullorja e punës e këshillit komunal, njoftojnë nga komuna e Tetovës.
Vërejtje ka por ata nuk e morën parasysh se një këshilltari nuk i është verifikuar mandati si këshilltar dhe ai nuk ka të drejtë të votojë sepse po ashtu edhe nuk është prezent në seancë dhe për këtë ne shkuam me shumicën 15 vota që është në pajtim me ligjin për vetëqeverisje lokale – deklaroi Adnan Bilalli, PDSH.
Zgjedhja e Bilallit u kundërshtua nga anëtarët e lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, të cilët reagonin se ajo nuk është e vlefshme pasi një këshilltari ende nuk i është verifikuar mandati.
Ne këshilltarët e Aleancës me Besë reagojmë ashpër ndaj mospërfilljes nga kryesuesi i këshillit, i cili në mënyrë jo ligjore dhe me vota të pamjaftueshme shpalli vetën kryetar i këshillit si dhe mos përfilljen në kërkimin procedural të fjalës. Citojmë nenin 19 nga rregullorja e këshillit të komunës, i cili thotë se për kryetar këshilli zgjidhet kandidat i cili fiton shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të këshillit. Në seancë ishin prezent 24 anëtarë, kishin 15 vota pro dhe nëntë vota kundër – tha Besar Durmishi, Aleanca me Besë
Ky është dështimi i dytë i tentimit për të zgjedhur kryetarin e këshillit të komunës së Tetovës, i cili nuk rezulton me sukses. Deri tek kandidimi i Adnan Bilallit nga radhët e PDSH-së për kryetar të këshillit, ka ardhur si pasojë e marrëveshjes që ekziston mes PDSH-së dhe BDI-së.
Bashkim Sulejmani