Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur jashtë dyerve të sallës së seancave plenare se më 18 shkurt protesta do të jetë një uragan. Ai ka paralajmëruar një fillim të ri të madh, me protestën e opozitës, duke iu drejtuar Ramës se do përgjigjet për çdo të zezë që iu ka bërë shqiptarëve këto 4 vjet.
Berisha ka folur edhe për përplasjen në Kuvend mes Nokës e Braçes. Ai tha se veprimi i Nokës ishte i imponuar.
“Do të jetë fillimi i ri i madh i misionit të forcave demokratike dhe shqiptarëve për shpëtimin e mekanizmave demokratike, shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi i banditokracisë. Do të jetë një lëvizje popullore, të cilën Shqipëria nuk e ka njohur që nga 20 shkurti i vitit ‘91. Do të jetë një lëvizje misionare në të cilën shqiptarët do të çmontojnë një nga një regjimin e kryebanditit Edi Rama, banditëve të tij në qeveri, vrasësve dhe trafikantëve të tij në parlament.
Do të jetë një lëvizje që do i kthejë shqiptarëve shpresën dhe besimin tek vetja dhe e ardhmja. Pikërisht në këtë kulm denoncimesh, veta ja mbath i tmerruar dhe gjen rastin që të mos ndodhet as nesër në zyrë. Por i them që kudo që të jetë, kudo që të shkojë ai do të japë llogari para shqiptarëve për çdo të zezë që ju ka bërë këto 4 vite”, deklaroi Berisha.
16 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)