Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq foli sot në Beograd për tërheqjen e trupit diplomatik nga Maqedoni se, “nuk bëhet fjalë për punë të vogla por është diçka serioze ” dhe se është konsultuar me presidentin e shtetit Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ivica Daçiq.
Para gazetarëve në selinë e qeverisë së Serbisë ajo paralajmëroi se së shpejti do të jepet versioni zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme për largimin e diplomatëve serbë nga Republika e Maqedonisë, transmeton Tanjug.
Të gjithë të punësuarit nga Ambasada serbe në Shkup, mbrëmjen e djeshme janë thirrur për konsultime urgjente në Beograd. Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ende nuk ka informacion zyrtar nga Beogradi pse janë tërhequr diplomatët dhe të punësuarit nga Ambasada e Serbisë në Shkup. Nga MPJ-ja e Maqedonisë për MIA-n thonë se është vendosur komunikim me MPJ-në e Serbisë për konfirmimin e arsyeve për këtë procedurë.
Nga ana tjetër ambasadorja serbe Dushanka Divjak Tomiq për mediat serbe deklaroi se tani për tani nuk mund të komentojë situatën dhe paralajmëroi më tepër informata gjatë ditës së sotme.
Na MPJ informojnë se në pajtim me dispozitat përkatës të Konventës së Venedikut për Marrëdhënie Diplomatike, institucionet përkatëse të Maqedonisë po ndërmarrin masa për mbrojtje të sigurisë dhe integritetit të ambasadës së Serbisë në Shkup.