Lëvizja BESA vlerëson se reformat në drejtësi, aq të paralajmëruara nga shumica parlamentare, nuk kanë filluar akoma. Shefi i kabinetit të kryetarit të kësaj partie, Faton Fazliu, tha se Lëvizja BESA do të angazhohet për zbardhjen e të gjitha proceseve të montuara, ku viktima kryesore kanë qenë shqiptarët. Fazliu shtoi se do të merren të gjitha masat e nevojshme për t’u arritur një gjë të tillë, ndërkaq nuk përjashtoi mundësinë edhe organizimin e protestave.
FATON FAZLIU, SHEF I KABINETIT TË KRYETARIT TË LËVIZJES BESA
“Lëvizja BESA do të angazhohet maksimalisht që të zbardhen të gjitha proceset e montuara gjyqësore, të zbardhen aferat korruptive ku përfliten akterë të lartë politik të cilët edhe tani janë pjesë e Qeverisë. Në të kundërt, reagimi qytetar do të jetë i fuqishëm dhe BESA do të jetë në ballë të organizimit për të ndaluar drejtësinë selektive e cila është në dëm të shqiptarëve, e në dobi të politikanëve të korruptuar”
Lëvizja BESA, insiston që sa më parë të zbardhen rastet e njohura si Sopoti dhe Monstra, si dhe shumë raste të tjera dhe fajtorët e vërtetë të vihen para drejtësisë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Ndërkaq ata akuzojnë Prokurorinë Speciale Publike, se ka filluar të funksionojë sipas drejtëisë selektive.
FATON FAZLIU, SHEF I KABINETIT TË KRYETARIT TË LËVIZJES BESA
“Duhet një herë e përgjithmonë të përfundojë koha kur shqiptarët janë fajtorët kujdestarë dhe gjah i proceseve të deformuara gjyqësore që udhëhiqen nga qëllimet politike të atyre që këtë shtet e konsiderojnë si pronë të tyre. Në këtë rast, neglizhenca dhe bashkëpunimi i faktorit politik shqiptarë në qeveri është e pafalshme. Andaj, jo rastësisht sot kanë nisur të zbehet edhe besimi në Prokurorinë Speciale e cila ka filluar të funksionojë sipas drejtësisë selektive, duke klasifikuar rastet varësisht nga interesat politike të partive në pushtet. “
Nga BESA vlerësojnë se shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Marko Zvërlevski, është vetëm hapi i parë, dhe nuk nënkupton se reformat në organet e drejtësisë nuk kanë përfunduar. Ajnur Bafqari /SHENJA/
BESA-Zverlevski by tvshenjaofficial