Sot rreth 20 kompani nga Adijamani, Turqia lindore, u bashkuan në Odën Ekonomike të Maqedonisë, ku u diskutua për zhvillimin e ekonomisë, veçmas për investimet e huaja në këtë shtet, duke prekur fushat e ndryshme të biznesit. Investime në sektorin ushqimor, të tekstilit, ndërtimtarisë, xehetarisë, pajisjeve për sektorë të ndryshëm industrial, hotelieri dhe turizëm, si dhe skenimi i klimës afariste dhe investuese, njofton Almakos.
Në forumin e biznesit, që u mbajt në Odën Ekonomike të Maqedonisë – Turqisë (MATTO), u prezantuan edhe potencialet për investim në Maqedoni, ndërsa u mbajtën edhe ‘tet-a-tet’ takime me qëllim që të shqyrtohen mundësitë për bashkëpunim midis kompanive të Maqedonisë dhe Turqisë.
Sipas Ajdovan Ademoski, kryetar i MATTO-s, për përmirësimin e gjendjes ekonomike duhet të përfshihet edhe nxitja e bashkëpunimit të kompanive vendase me investimet e huaja direkte që të përmirësohet gjendja ekonomike e vendit përmes rritjes së barabartë rajonale dhe zhvillim i kompanive vendase të cilët bashkëpunojnë me investimet e huaja, shkruan Almakos.
“Maqedonia është një prej shteteve më të rëndësishme në të cilin mund të investohet dhe në mënyrë transitore të punohet në të gjithë tregjet me të cilët shteti ka tregti të lirë. Shpresoj se ky takim i sotëm do të jep fryte. Dëshirojmë të lidhim vëllazëri mes Qytetit të Shkupit me Adijamanin”, deklaroi Ademoski, kryetar i MATTO-s.
Vitin e kaluar, këmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Turqisë ka qenë 420 milionë dollarë amerikanë, por nga Oda Ekonomike e Adijamanit konsideronin se ka potencial për intensifikim të këtij bashkëpunimi dhe se duhet të rritet në vazhdimësi.
“Këmbimi tregtar është rreth 400 milionë dollarë amerikanë, por konsiderojmë se kjo nuk është e mjaftueshme. Pikërisht për këtë arsye jemi të pranishëm këtu me qëllim që të intensifikohet këmbimi. Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë të ardhshëm dhe do të jetë kënaqësi për ne që në një të ardhme të afërt t’i kemi mysafir përfaqësuesit e MATTO-s”, theksoi Mustafa Usllu, kryetar i Odës Ekonomike të Adijamanit.
Sipas shefit të përfaqësisë tregtare të Republikës së Turqisë në Maqedoni, Bunjamin Kutllu, Maqedonia ka kushte të volitshme për investim dhe për këtë arsye është dërguar ftesë për bashkëpunim deri te biznesmenët turq, për të investuar në këtë shtet.
“Organizojmë programe dhe aktivitete të ndryshme me të cilat mundësojmë që kompanitë turke të vijnë në Maqedoni dhe të njoftohen me kushtet për investim, por njëkohësisht organizojmë edhe programe me të cilat afaristët nga Maqedonia i dërgojmë në panaire në Turqi ku vendosin kontakte për bashkëpunim të ardhshëm”, tha Kutllu.
Në biznes forumin e sotëm Maqedoni-Turqi të pranishme ishin kompani nga industria e ushqimit dhe tekstilit, ndërtimtaria, xehetaria dhe turizmi. Biznesmenët turq para vizitës në Maqedoni, ishin në Serbi, ndërsa pastaj shkojnë për në Kosovë.
Oda tregtaro-industriale e Adijamanit është themeluar në vitin 1984, numëron 3.700 anëtarë dhe i ka 18 shoqata profesionale. Në korniza të saj funksionon edhe Bursa e mallrave të Adijamanit.
D.K
Almakos.com