Bajram Ferati dhe Abedin Fejzullahu janë mini-blegtorë që veprimtarinë e kryejnë vetëm 2 kilometra larg qytetit të Kumanovës. Ky profesion është ekzistenca e vetme për dy familjet në fjalë ndërkohë që zhvillohet me shumë vështirësi dhe mungesë të kushteve elementare për një blegtor. Ajo që e bën edhe më të vështirë këtë profesion është mos pagesa me kohë e subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë e nga të cilat varen thuajse blegtorët. Abedin Fejzullahu thotë se akoma nuk ka mar subvencionet për vitin 2014, 2015 dhe 2016 gjë që ka shkaktuar bllokadë në zhvillimin e profesionit të tij.
22 frymë i kam, 17 denarë na e paguajnë koncentratin e 18 denarë qumështin, shumë keq është. Prej 2014 kam ende për të marë, 2015 diçka më kanë lëshu ndërsa për 2016 nuk më kanë lëshu asgjë, nuk e di se ku është problemi. Ne prej subvencioneve përfitojmë diçka, se qumështi është 18 denarë e koncentrati 17 denarë, plus shpenzimet për ushqim, nuk mbetet kurgjë. Kur e japin me kohë ajo mir është por ja tash kemi mbjell misër gati 5 hektarë, 2 hektarë i kam detelinë, pa i hedh pleh artificial ajo nuk bëhet. Ne, me ato subvencionet e blejmë plehun artificial edhe kurgjë hiç- thotë Abedin Fejzullahu, blegtor.
Edhe Bajram Ferati thotë se për dy vitet e fundit nuk i janë paguar subvencionet. Ai madje akuzon institucionet kompetente se aspak nuk u mundësojnë kushte për zhvillimin e blegtorisë. Për të arritur në në stallën ku ruan kafshë rruga është e shkatërruar dhe ka mungesë të energjisë elektrike.
Prej janarit 2016 e deri më sot janë afër 20 muaj nuk kemi të marura asnjë lek, problemi se ku qëndron ne nuk e dimë. Sa i përket dokumentacionit, dokumentacioni është gjithë në rregull. Kemi bë përpjekje të miremi vesh me Agjencionin për zhvillim rural, ata na thonë se je krejt në gjendje të rregullt por të holla në konto nuk kemi, ku është problemi. Kisha apelu te ministrat e rinjë se aty jemi drejtu tash momentalisht, sidomos te ministri i Bujqësisë dhe Financave që sa më shpejt të na bëjnë ndonjë zgjidhje se problem kemi se ne me ato jetojmë, nuk kemi kurrfarë rroge tjetër- thotë Bajram Ferati, blegtor.
Pavarësisht akuzave të blegtorëve, ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski tha se në vazhdueshmëri janë duke u paguara të gjitha subvencionet e mbetura nga Qeveria e kaluar.
Deri në përmbyllje të muajit gusht dhe në fillim të muajit shtator vlerësoj se në përgjithësi do të kryhet pagesa që ka të bëj me programin e vitit 2016. Paralelisht, ne me drejtorin e ri në Agjencionit të pagesës jemi në kontakt të vazhdueshëm që ti zgjidhim problemet e mbetura nga viti 2012, 13, 14 dhe 15 për ata tek të cilët janë krijuar pengesa gjyqësore ose procedura tjera- deklaroi Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.
Ndryshe, ministria e Bujqësisë gjatë dy muajve të kaluara bujqve u ka paguar subvencione në vlerë prej 50 milionë eurove ndërkohë që po përgatisin zgjidhje për pagesën e 15 milionë eurove shtesë mbështetje. E, në mesin e pagesave të fundit shpresojnë të jenë edhe dy familjet e lartpërmendura, Fejzullahu dhe Ferati.
Melihate Rustemi