Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, ka denoncuar sot ndotjen e lumit Shkumbin nga një biznes privat. Sipas tij mbeturinat e një kompani të përpunimit të peshkut në Labinot, hidhen në rrjedhën e lumit, duke rrezikuar sipas tij edhe shëndetin e banorëve që jetojnë aty pranë.
“Këto janë mbeturinat që hidhen në mënyrë sistematike nga biznesi afër Ramës, në Labinot, pranë rrjedhave që zbresin në Shkumbin. Ndotja është e frikshme e alarmante dhe me pasoja shëndetësore për banorët të cilët dje dolën në protestë. Kutërbimi i masave të këtyre mbetjeve ka pushtuar zonën.
Po askush nga strukturat shtetërore apo lokale nuk vepron. As nuk shohin dhe as nuk ndjejnë gjë, sepse këto janë miqtë e “të madhit” . Këtu e ka burimin dhe konflikti që degradoi në kërcënimin me jetë dhe goditjen e biznesmenit Ylli Salla, një ndër ata që vuan pasojat e kësaj katastrofe ekologjike. Çuditërisht, policia ende nuk ka autor, sepse ky është shteti i Ramës, i miqve të tij dhe jo i qytetarëve. Shtet i ndotur që merret vetëm me punë të pista”, shprehet deputeti në një postim në Facebook.
18 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)