Ndërmjetësuesi i KB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, pas pauzës trevjeçare, sot dhe nesër në Bruksel do të ketë takim me përfaqësuesit e të dy vendeve Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis.
Takimi, siç paralajmëroi Zyra e Nimicit, është pjesë e përpjekjeve të KB-së që t’u ndihmohet të dyja palëve të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit.
Është parashikuar që ndërmjetësuesi të ketë takime të veçanta me përfaqësuesit e të dy vendeve, ndërsa nesër, varësisht nga rrjedha e bisedimeve, do të mbahet një takim i përbashkët.
Tani për tani, nuk ka njoftim zyrtar nëse Nimic do të dalë me ide të reja, sugjerime apo propozime, edhe pse mediat greke nuk e përjashtojnë këtë mundësi.
Vullnet të mirë për zgjidhje tek të dyja palët sheh edhe ndërmjetësuesi Nimic, i cili në një deklaratë për agjencinë e lajmeve – IBNA, shfaqi edhe shpresë se do të tejkalohen edhe të a.q. linjat e kuqe të vendosura nga Athina dhe Shkupi.
Raundi i ri vjen në një periudhë të klimës së përmirësuar politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritje optimiste nga Shkupi dhe Athina, por edhe nga Uashingtoni për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.
Raundi i fundit formal i bisedimeve të ndërmjetësuesit të KB-së me përfaqësuesit e të dy vendeve u mbajt në Nju-Jork në nëntor të vitit 2014./Almakos