Deponia në Dibër, burim i kancerit dhe sëmundjeve të tjera të rënda

Komuna | Publikuar më 06.11.2016 në ora 17:49

Dibra vijon të mbytet në tymin dhe erën e rëndë që vjen nga deponia e qytetit, e cila është vetëm disa qindra metra larg shtëpive të para. Alsat M disa muaj më parë alarmoi për këtë problem, por jo vetëm që nuk është ndërmarrë ende asnjë hap për zgjidhjen e çështjes së deponisë, aty po grumbullohen sasi të reja të mbeturinave. Qytetarët thonë se deponia është burim i shumë sëmundjeve të rënda, siç është kanceri. Ata thonë se politikanët para çdo cikli zgjedhjesh premtojnë se do ta zgjidhin këtë problem, por më pas i harrojnë të gjitha.
Por, për disa qytetarë të Dibrës dhe qyteteve të tjera, deponia është burim dhe mundësi për të siguruar ekzistencën. Aty e takuam 50 vjeçarin Besnik Karameti i cili na tha se atë që e gjen në deponi, më pas e shet. Megjithatë Karameti nuk fshehu as shqetësimin për shëndetin e tij.

Nga Qendra për zhvillim të qëndrueshëm në Dibër, kërkojnë zgjidhjen urgjentisht të problemit dhe jo vetëm premtime boshe.

Shuip Marku thotë se është koha të paktën të selektohen mbeturinat plastike që deponia të mos digjet sërish dhe me këtë të ndotet ajri, por edhe të ndërpritet sjellja e mbeturinave nga komunat e tjera. Alsat M disa ditë përpiqet të marrë qëndrim nga autoritetet lokale të Dibrës dhe kryetari Ruzhdi Lata, por deri më tani përpjekjet tona rezultuan të pasuksesshme.