Deputeti i BDI-së, Branko Manojllovski, vazhdon të mbetet edhe më tej në kërkesën e tij që e parashtroi dje publikisht, për legalizimin e homoseksualëve në Maqedoni. Manojllovski thirri sot në Kuvend një konferencë për të sqaruar se qëndrimi është personal i tij dhe se askush nuk e ka nxitur, ndërsa tha se dëshiron që ligjin për legalizimin e martesave homoseksuale ta shoh para se të vdes.
“Edhe një herë do tu them që këtë ta konsideroni si opinion të Branko Manajllovskit, askush nuk ka qëndruar pas meje. Unë mbetem në këtë qëndrim dhe do të doja që para se të vdes të shoh homoseksualët me të drejtat siç i kemi unë dhe ju”, ka thënë Manojllovski.
Ai tha se këtë kauzë dëshiron edhe ta ndërkombëtarizojë, andaj edhe konferencën tha se për këtë qëllim e mbajti në gjuhën angleze. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Manojllovski barazoi zyrtarizimin e gjuhës shqime me kauzën e homoseksualëve. Zyrtarizimi i martesave homoseksuale, shtoi më tej deputeti i BDI-së, është e njëjtë edhe me betejën e shqiptarëve për zyrtarizimin e flamurit kombëtar.
“Unë do të doja që këto gjëra që I kërkon unë të pranohen me ligj. Me ligj tu sigurohen të gjitha të drejtat homoseksualëve dhe kjo do të ishte shumë mirë. Do tu tregoj një shembull. Më kujtohet kur shqiptarët rifeshin për të fituar flamur dhe Aleksandër Rankoviqi i rrihte. Dhe kur ua dhanë flamurin, ata të gjithë u liruan, sepse e panë që flamuri qenka një pëlhurë, ndërsa atëherë ishte diçka tjetër e fuqishme, nacionale. Të njëjtën ju tani po e bëni tani me homoseksualët”, ka thënë Manojllovski.
Reagimet e shumta që lindën në opinion pas deklaratës së djeshme në komisionin për sistem politik, deputeti i BDI-së Branko Manajllovski, tha se janë pasojë e mentalitetit ballkanik.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Branko Manojllovski i BDI-së: Mos vdeksha pa… by tvshenjaofficial