Detaje për kapjen e 15 tonëve të drogës në Vlorë

Shqipëri | Publikuar më 17.07.2017 në ora 12:46

Hashashi ishte “i matrikulluar”, trafikantët e kishin gjetur tregun në Itali ku droga shqiptare po përmbyt edhe plazhet. Pushuesit e disa plazheve të Abruzzo-s në Itali u befasuan kur panë disa pako të mëdha që po pluskonin në det, pak metra larg brigjeve.

Policisë iu deshën disa minuta për t’i mbledhur. Ishin të gjitha me kanabis. Pako të ngjashme u gjetën në Montesilvano, Francavilla al Mare dhe Silvi. Hetimet e para flasin për Shqipërinë si vendi i prejardhjes. Dyshimet janë se droga është hedhur në det nga skafistët.

Pakot kanë numra të shënuar. Çdo numër i korrespondon një destinacioni të veçantë. U vihen me qëllim që trafikantët që e presin “mallin” në Itali, të dinë se cilit shpërndarës i përket.

Lapsi.al mësoi se “e matrikulluar” ka qenë edhe sasia prej 15 tonësh me kanabis që policia gjeti javën që lam pas në Llakatund të Vlorës.

15 ton drogë gati për t’u vendosur nëpër skafe dhe për t’u dërguar në Itali, ku do të arrinte një vlerë prej të paktën 15 milionë eurosh, me një fitim afro 10 milionë euro për trafikantët shqiptarë.

Ishte drogë e kultivuar nga trafikantët në zonën e Llakatundit vitin që shkoi kur Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm, deklaronte se ishte asgjësuar mbi 98 për qind e sipërfaqeve të mbjella me drogë.

Burime të prokurorisë thonë se një pjesë të saj trafikantët e kishin blerë tek banorë të zonës, që po ashtu kishin mbjellë kanabis nën shembullin e grupeve kriminale që policia nuk i shqetësoi asnjëherë përgjatë 1 viti të tërë.

“Matrikullimi” i drogës, sipas prokurorëve që po hetojnë ngjarjen, është tregues se trafikantët kishin gjetur edhe tregun.

Gjithçka ishte gati.

Grupi kishte në përbërje të tij edhe një oficer policie, i cili u arrestua së bashku më të vëllanë që kishte një pjesë të drogës.

“Por rrjeti është disa herë më i madh”, thonë burime të prokurorisë për lapsi.al. “Peshqit e mëdhenj” sërish kanë shpëtuar.

Hetimet vazhdojnë, bashkë me kontrollet në këtë zonë, që zbuluan sasi dhe mënyra të tjera të fshehjes së kanabisit, me fuçi plastike të groposura nën tokë.

1.3 ton kanabis u kap në të njëjtin operacion edhe në Kavajë.

Edhe aty droga ishte “e matrikulluar”, gati për t’u transportuar me një skaf të fuqishëm në Itali, i cili u sekuestrua.

Sasi të tjera të mëdha droge besohet se gjenden përgjatë bregdetit shqiptar. Me tonelata dyshohet se vazhdojnë të kalojnë kontrollet dhe një pjesë e tyre hidhet edhe në det, ashtu si pakot e gjetura në Abruzzo nga pushuesit.

Shqipëria, në 2016, ka prodhuar aq shumë drogë, sa po mbyt edhe brigjet e vendit fqinj, ndërsa sasitë e kapura nga policia që nuk kalojnë 1 ton, duken krejt të papërfillshme edhe në opinionin publik.

Askujt nuk i bën më përshtypje. Dhe pak nga pak me këtë realitet do të mësohen edhe turistët e Abruzzo-s. /Lapsi.al/Telegrafi/