Dhunuesi i 27 prillit të përgjakshëm, Igor Jug është dërguar në burgun e hetuesisë në Shutkë. Ai vuan paraburgimin e shqiptuar prej tetë ditëve që gjykata ia shqiptoi para katër muajve në mungesë për veprën pjesëmarrje në turmë. Igor Jug, ishte pjesë e turmës që hyri me dhunë në Kuvend dhe u konfrontua fizikisht me deputetët e LSDM-së. Ai dje u arrestua në Kumanovë, në një banesë 100 metra larg stacionit policor. Sipas policisë, Jug nuk ka rezistuar gjatë arrestimit. Prokuroria publike sqaron se paraburgimi është i shkurtër meqë pas trazirave të përgjakshme, Igor Jug është kërkuar për vepër që udhëhiqet me procedurë të shkurtuar. Por, nuk përjashtojnë se hetimi mund të zgjerohet pikërisht në pjesën e zhvillimeve në Kuvend.
Në këtë moment për personin e dyshuar Prokuroria kompetente themelore publike në Shkup është duke udhëhequr hetim për vepër penale përpunim të pautorizuar, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim me armë ose materie shpërthyese nga neni 396 i Kodit penal – thanë nga Prokuroria Themelore Publike.
Pas sulmit në Kuvend u paraqitën edhe regjistrime në të cilat shihet qartë se Igor Jug në mbrëmjen e 27 prillit mban edhe armë. Regjistrimet tregojnë se tërë kohën e ka dorën në brez, duke mbajtur revole, brenda në pres-qendrën në Kuvend, kur një pjesë e turmës i sulmoi deputetët që u hasën në sallë. Për këtë rast foli edhe agjenti serb Goran Zhivaleviq, i cili në një intervistë për mediat serbe tha se qëllimi i Igor Jug ishte likuidimi i Zoran Zaevit. Përveç Igor Jug, në paraburgim janë Kire dhe Cane Gerorgievski, babë e birë të dyshuar se në mënyrë të përgjakur e kanë rrahur deputetin Zijadin Sela. Ata akuzohen për veprën vrasje në tentativë. Të gjithë pjesëmarrësit tjerë që i ndiqte prokuroria, fituan dënime me kusht. Ende nuk ka epilog nga hetimi i prokurorisë për krim të organizuar, ku ende hetohet hapja e dyerve nga Kuvendi nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, si dhe përgjegjësia e Mitko Çavkovit si drejtor i Byrosë për siguri publike për shkak të një varg lëshimesh të policisë atë natë. Nuk ka hollësira as nëse do të përgjigjen organizatorët e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”.
Bojan Stojanovski