Nikolla Gruevski nuk është me në pozitën për të ofruar çfarëdo zgjidhje të situatës dhe për të shtruar kërkesa në drejtim të katërshes evropiane që të martën do të zbres në Shkup. Kështu e vlerësojnë analistët paralajmërimin e ish kryeministrit për publikimin e dokumentit i cili do ta “shpëtonte” Maqedoninë nga kriza politike. Analisti Visar Ademi vlerëson se ka kaluar koha kur Gruevski negocionte për Maqedoninë, pasi sipas tij fjalën e fundit dhe vetme tani e ka Prokuroria Speciale.
Unë mendoj se Gruevski duke pasur shumë probleme të mëdha me Prokurorinë Speciale, e mban peng jo vetëm partinë e tij, por mban peng edhe institucionet e shtetit duke dashur të konfliktuojë apo të nxisë konflikte qoftë intra-etnike apo ndëretnike me shqiptarët. Mendoj se kjo është beteja e fundit që ai po bënë për të shpëtuar vetveten dhe udhëheqësin e tij kriminele dhe korruptive. Mendoj se Gruevskit i ka kaluar koha kur ai mund të bënte negocime se çfarë është mirë për Maqedoninë. Kjo është koha kur Prokuroria Speciale e ka fjalën e fundit dhe të vetme – deklaroi analisti Visar Ademi.
Ndërkohë analisti Petar Arsovski deklaratat e fundit të Gruevskit i cilëson si përgjigje e vonuar histerike për Platformën shqiptare.
As partia dhe as Gruevski për momentin nuk kanë kredibilitet për të shpallur dokument i cili dukshëm të lëvizte krizën. Mendoj se kjo është më tepër përgjigje e vonuar histerike kundrejt platformës shqiptare, dhe është në fazë ku Gruevski nuk është partner kredibil për të negociuar për Qeveri. Mendoj se nesër më shumë duhet të pritet se faktori ndërkombëtarë Gruevskin do ta informojnë se si të del Maqedonia nga kriza, sesa vet Gruevski të jetë pjesëmarrës aktiv në atë debat – deklaroi analisti Petar Arsovski.
Në një intervistë për televizionin Kanal 5, lideri i VMRO – DPMNE-së Nikolla Gruevski tha se grupet e punës të partisë së tij janë në fazën përfundimtare të përpilimit të një dokumenti i cili do ta ndihmonte Maqedoninë të dalë nga kriza e thellë politike dhe që garanton karakterin unitar të shtetit. Gruevski i përsëriti qëndrimet se VMRO – DPMNE-ja do ta përkrah LSDM-në në krijimin e Qeverisë së pakicës nëse kjo e fundit distancohet nga Deklarata e përbashkët e partive shqiptare dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në pako me zgjedhjet lokale janë të pashmangshme.