Liderët e partive më të mëdha politike shqiptare në vend, gjatë ditës së sotme patën takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në Shkup si Ii ftuar në Samitin 100, shkruan Almakos.
Takimet me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni i filloi me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Ky i fundit pas takimit, para gazetarëve foli për temat e biseduara me kryeministrin Rama, por edhe u përgjigj në pyetjet e gazetarëve për çështjet më aktuale në vend, konkretisht zgjedhjet lokale.
“Për këtë folën qytetarët më 15 tetor. Nuk ka asnjë logjik që unë tu them se do të kem bashkëpunim me BDI-në, kur jemi në garë me BDI-në, edhe në Dibër, Strugë, Gostivar dhe komuna tjera. Sovrani foli më 15 tetor dhe natyrisht veprimet tona politike do të jenë të bazuar në bazë të mesazhit që e dha sovrani në raundin e parë”, deklaroi Sela.
Në listën e takimeve të Kryeministrit të Shqipërisë, me liderët e partive shqiptare në Maqedoni, ishte edhe Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Sipas Ahmetit, takimi me kryeministrin Rama, ishte i dobishëm.
“Ishte një takim shumë i dobishëm, e informova Ramën mbi rrjedhat politike, për zgjedhjet që u zhvilluan të dielën, sepse kishte mjaft interesim nga Rama. Ai më inkurajoi që po kështu të vazhdojmë edhe në rrethin e dytë që R. e Maqedonisë të vazhdojë në proceset e nisura drejt reformave në gjyqësi dhe drejt rrugës së nisur euroatlantike”- tha Ali Ahmeti.
Ky i fundit i pyetur nga gazetarët sa u përket pritshmërive në raundin e dytë dhe se nga kush prêt vota, tha se për çdo marrëveshje që mund të bëjë BDI, opinion do të informohet.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua me liderin e Lëvizjes Besa Bilall Kasami dhe nënkryetarin e Besës, Zeqirija Ibrahimi. Gjatë takimit Rama dhe udhëheqësit e Besës folën për zgjedhjet lokale në Maqedoni, situatën e përgjithshme politike dhe mundësitë e bashkëpunimit të partive shqiptare.
Edi Rama, gjatë ditës së sotme zhvilloi takim me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Në takim u bisedua për situatën aktuale politike, për proceset integruese, si dhe për rolin e Shqipërisë në rajon, njoftuan nga Shërbimi për Informim i PDSH-së.
Gjatë vizitës së tij në Shkup, kryeministri Edi Rama, pati takime edhe me politikanë të tjerë, mes të cilëve edhe me Nikolla Gruevskin.
Siç informuan nga kabineti i Gruevskit, ky i fundit ka thënë që është për “bashkëpunim të hapur me Shqipërinë e cila bazohet në baza të principeve.
Përgatiti:Evi Shkopi
Almakos.com