Kandidatja e Lëvizjes Besa, për Qytetin e Shkupit, Nafie Selmani në një intervistë ekskluzive për Almakos, ka shtjelluar temat, zgjidhja e të cilave është parësore dhe nuk mund të presin më. Selmani u zotua se nëse vjen ajo në krye të bashkisë do të bëj ç’mos që të ngrejë çështjet që e tangojnë shoqërinë dhe se për zgjidhjen e të njëjtave do të kërkoj mendimin, ndihmën edhe të qytetarëve.
Almakos: Duke qenë se gazifikimi është goxha projekt i madh dhe të njëjtin ju e keni premtuar ta realizoni nëse fitoni në zgjedhjet lokale, a mendoni se shpenzimet do të mund t’i mbuloni vetëm me mjetet financiare të komunës apo do të kërkoni ndihmë nga ndonjë bashkëpunëtorë eventual? Nëse është kjo e fundit, cilat janë ato institucione që mendoni se do ju ndihmojnë dhe për sa kohë mendoni ta realizoni projektin në fjalë?
“Për shkak se bëhet fjalë për projekt shumë të madh, ndërkaq buxheti vjetor i Qytetit të Shkupit, nuk përkon me kërkesat financiare për realizimin e gazifikimit në Shkup, ne do të kërkojmë kredi prej institucioneve ndërkombëtare financiare siç janë: BEZHR, me të cilën Qyteti i Shkupit ka bashkëpunim të mirë, pastaj Banka Botërore ose nga institucione financiare bilaterale siç është KFË, mirëpo këtë do ta bëjmë me garanci qeveritare në mënyrë që të marrim shkallë interesi më të volitshëm. Pasi që ky është një projekt që mund të zgjasë më shumë se një mandat, para se t’i fillojmë bisedimet me institucionet financiare, do të siguroj konsensus nga të gjitha partitë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, si dhe nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë për shkak se do të kërkojmë garanci shtetërore me çka do të sigurojmë implementim të sigurtë të projektit i cili se do të zgjasë më shumë se një mandat. Para se të fillojmë aktivitetet konkrete, nga mjetet tona do të financojmë Studim fizibiliteti që do të na jep disa alternativa në drejtim të teknologjisë, përfshirjes së Qytetit të Shkupit dhe sekuencimin e gazifikimit në Qytetin e Shkupit. Të rezimojmë: së pari financim të Studimit fizibiliti me mjetet e Qytetit të Shkupit e pastaj do të siguroj konsensus në Këshillin e Qytetit dhe më pastaj do të fillojmë bisedimet me institucionet financiare për financimin e dokumentacionit projektues dhe implementimit të tij” tha Selmani.
Almakos: Znj Selmani, cili është plani juaj për zhvillimin e ekonomisë lokale? Në atë plan, a është precizuar se cilat ndërmarrje do të kenë përkrahje dhe në ndërkohë, ju lutem, na tregoni se çfarë do të ndodhë me përfaqësimin e grave dhe rinisë?
“Përmes sektorit për zhvillim ekonomik lokal, do të kemi një program për përkrahje teknike vetëm të ndërmarrjeve të vogla dhe mikro, dhe pjesa tjetër është përkrahja e sipërmarrësisë së grave dhe të rinjve deri në moshën 30 vjeçe, pasi që në tregun e punës përfaqësimi i grave dhe të rinjve është më i vogël. Gjithashtu kujdes të veçantë dhe përkrahje do t’u japim të rinjve pasiv ose në terminologjinë angleze NEEDS. Ky është grupi i të rinjve të cilët as nuk mësojnë, as nuk punojnë dhe nuk janë aktiv aspak ( të rinj pasiv). Në Republikën e Maqedonisë numri i tyre sillet diku rreth 27% ndërsa kjo përqindje është në nivel të Lindjes së afërt. Që t’i arrijmë këto qëllime do ta thellojmë bashkëpunimin me qytetet e vëllazëruara në mënyrë që duke i marrë përvojat e tyre t’i shfrytëzojmë këtu tek ne ndërkaq në bashkëpunim me to, do të bëhemi ura ndërlidhëse e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla që funksionojnë në Qytetin tonë me ndërmarrjet e njëjta të qyteteve të binjakëzuara”, shtoi Selmani.
Almakos: Znj Selmanim, sipas jush cilët janë faktorët që ndikojnë në ndotjen e ajrit në qytetin e Shkupit dhe si planifikoni ju ta zgjidhni këtë problem?
“Një nga faktorët që më së shumti ndikon në ndotjen e ajrit në Qytetin e Shkupit, janë automjetet dhe ngrohja e amvisërive, si dhe faktorë të tjerë siç janë ndërtimi intensiv dhe mungesa e sipërfaqeve të gjelbra. Por duhet ta kemi parasysh një gjë, se Qyteti i Shkupit ka pak kompetenca në drejtim të zbatimit të aktiviteteve dhe masave të ndryshme që do të ndihmonin në zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Mirëpo, një nga masat e para dhe që është lehtë e zbatueshme,është sjellja e masës për përdorimin e automjeteve çift/ tek që do të zbatohet periodikisht nga muaji dhjetor deri në muajin mars. Do të zbatojmë edhe masa tjera sezonale si dhe masa dhe përpjekje permanente për shfrytëzimin sa më të madh të transportit publik, biçikletave dhe de-kurajimin e qytetarëve për përdorimin e automjeteve përmes kufizimit të parkimit në pjesën qendrore të Qytetit, rritjen e çmimeve për parkim, dhe masat tjera që siç thash më lartë, janë lehtë të zbatueshme. Do të ngremë iniciativë për ndryshimin e ligjit për Sigurim dhe mbrojtje në komunikacion ku do të kërkojmë që në çfarëdo qoftë rasti gjatë aksidenteve në trafik ndërmjet automjetit dhe çiklistit ose goditje nga ana e automjetit ndaj këmbësorit në çfarëdo qoftë rrethane, automjeti do të jetë përgjegjës, përjashtohen vetëm rastet e goditjes së qëllimshme, gjegjësisht në rast të keqpërdorimit të ligjit” veçoi ajo.
Almakos: Çfarë nëse nuk funksionojnë masat e lartë përmendura? A keni ndonjë plan tjetër?
“Atëherë, do të realizojmë konsultim me ekspertë dhe publikun e gjerë me qëllim që të ndryshojmë mënyrën e ngrohjes e cila do të jetë e pranueshme ekologjikisht. Nuk do të jepet pëlqim për asnjë plan detal urbanistik ku nuk parashikohet rritje e gjelbërimit apo gjelbërim përreth objektit ndërtimor. Ndërkaq këtë çështje do ta rregullojmë në bashkëpunim me komunat nga të cilat presim që në mënyrë inventive të propozojnë zgjidhje për këtë çështje”, deklaroi Selmani.
Mevludin Imeri
Almakos.com