Për më shumë se katër orë po zgjat takimi mes ministrit të Jashtëm Nikolla Dimitrov, homologut të tij grek Nikos Kocias dhe ndërmjetësit të OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimic. Nuk dihet nëse palët do të prononcohen pas këtij takimi që mbahet në Vjenë. Në kryeqytetin e Austrisë, Dimitrov dhe Kocias u takuan edhe një natë më parë për të sqaruar pozicionet para takimit me Nimicin. Mediat greke shkruajnë se vendi i tyre ka përpiluar një pjesë të draft-marrëveshjes e cila do të jetë bazë e bisedimeve të Vjenës. Bisedimet mund të vazhdojnë edhe në takimin joformal të ministrave të jashtëm në Sofje, më 15 dhe 16 shkurt, të enjten dhe të premten. Pjesa tjetër e draft-marrëveshjes, sipas mediave greke, do të diskutohet në Shkup pas vizitës nëpërmjet rrugës ajrore nga Athina, kur edhe në praktikë aeroporti në Shkup të marrë emrin e ri. Edhepse zyrtarisht palët nuk konfirmojnë, mediat thonë se bisedimet nuk zhvillohen më për të përcaktuar se cili do të jetë emri, por përdorimi i tij, nacionaliteti dhe gjuha. Nektarios Santorinos, ministër në Qeverinë e Ciprasit në intervistë për televizionin grek “Skaj” nuk komentoi takimin e sotëm, por ishte i prerë se emri erga-omnes nënkupton ndryshime kushtetuese.
Pozita jonë është e qartë; emër i përbërë me përdorim të përgjithshëm. Kur themi me përdorim të përgjithshëm mendojmë edhe për brenda vendit fqinj. Kur themi për përdorim të përgjithshëm, parakusht është edhe ndryshimi i Kushtetutës – deklaroi ministëri Nektarios Santorinos.
I pari i Selanikut, Janis Butaris nga ana tjetër propozoi që, në frymën e miqësisë së mirë, të mendohet rreth riemërimit të aeroportit të Selanikut dhe stacionit të autobusëve që mbajnë emrin “Maqedonia”.
Nuk them se duhet të ndërrohet, por vetëm pyes, kërkoj, të mendojmë për të sepse emri ‘Maqedoni’ e ‘ndan botën, na ndan ne’ dhe nga kjo humbim të gjithë – deklaroi kryetar i Selanikut Janis Butaris.
Pasi deklarata e Butarisit hasi në reagimin e opinionit duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij, nga qeveria greke thonë se mendimi i tij është personal dhe e sugjerojnë të lej mënjanë çështjet e diplomacisë.
Në kuadër të bisedimeve, nuk përjashtohet mundësia që së shpejti të ketë edhe një takim tjetër mes dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. Burime nga Qeveria, ditë më parë njoftuan se muaji mars mund të jetë vendimtarë për emrin dhe në rast se marrëveshja dështon, nuk përjashtohet mundësia që në negociata të përfshihen edhe lehtësues diplomatikë.
Anesa Salihu