Festivali Ballkanik i Poezisë Festa e Blirit 2017 – Shoqata e Shkrimtarëve, në Maqedoni (SHSHM)
Sot në Shkup u mbajt Festivali Ballkanik i Poezisë Festa e Blirit 2017, i cili është i vetmi manifestim letrar që orgnazohet nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë. Po në këtë ditë u mbajt edhe kuvendi vjetor i kësaj shoqate, e cila për temë bosht kishte gjendjen e lekturës shkollore në Republikë, njohton Almakos.
Në këtë festival ndahet edhe çmimi më i lart që ndan kjo shoqatë – Skeptri Letrar, laureatë të të të cilit ishin: shkrimtari dhe akademiku ynë i njohur Eqrem Basha dhe poeti i dalluar maqedonas për fëmijë Stojan Tarapuza. Fjalë rasti për Eqrem Bashëm mbajti kritiku dhe akademiku Ali Aliu. Fjalë përshëndetëse mbajti kryetari i Shoqatës Vele Smilevski.
Në fjalën e tij falënderuese poeti Eqrem Basha midis tjerash tha: Nderi që më bëhet sot me ndarjen e këtij “Skeptri letrar” më bën të ndjehem mirë. Duket se po jetoj një vit të mbarë. Në muajin Mars mora çmimin letrar për vepër jetësore, që ndan Ministria e Kulturës e Kosovës, pak ditë pas kësaj një shtëpi e njohur frënge më dërgoi kopjet e para të një përmbledhjeje të poezisë sime të zgjedhur, të përgatitur me shumë shije, ndërsa miku im frëng më solli dorëshkrimin e përkthimit të njërit nga romanet e mia të fundit. Në shtëpinë time një nip i vogël ka filluar të më sillet nëpër këmbë dhe të më zgjojë për herë të parë dashurinë e gjyshit. E gjithë kjo, e shoqëruar me botimin e veçantë që ndesha sot këtu, po kurorëzohet në këtë festë të blirit që përhap aromën e këndshme gjithandej kopshteve dhe bulevardeve të Shkupit.
Me çka mund ta kënaqet më shumë një krijues?
Ndjehem shumë mirë në mesin tuaj, të dashur miq, një pritje e ngrohtë, thuajse njihemi me vite. Falënderoj nga zemra në radhë të parë shkrimtarin Vele Smilevski, kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë, i cili më kumtoi lajmin e mirë, si dhe shkrimtarin Resul Shabani, që mori përsipër përkthimin e poezisë sime. Falënderoj të gjithë ata që i besuan dhe e vlerësuan aventurën time, rropatjet e ngazëllimet që të jep akti i krijimit, dhembjet e lindjes dhe shembjet e rrugëtimeve të mundimshme.
…Sepse, aventura e shkrimit është herë rrugë e kthjellët dhe e drejtë, herë e turbullt, plot mjegull e kthesa, një rrugë parajse e ferri në të njëjtën kohë, në të cilën ecet herë me lehtësi të ngeshme, herë me mundime e djersë të vdekuri. Jo rrallë jam bindur se ajo që bëj dhe që më pëlqen, mund të mos e ngacmojë tjetrin, gjë që, gjithsesi, nuk më ka lënë gjakftohtë, përkundër bindjeve se jo gjithmonë duhet përfillur këtë. Por, përtej vetmisë krijuese, duket se është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm shoqërimi në distancë me ata që përgjojnë vuajtjet dhe lumturitë tona, që na ndjekin hap pas që na lexojnë dhe na vlerësojnë. A thua këmbëngulja e fanatikëve të shkrimit “pa kushte”, megjithatë, është relative? Nuk ka krijues që nuk e mendon lexuesin, bile edhe ata që thuhet se shkruajnë për vete. Jam fort i bindur për këtë duke u marrë kaq vite me përkthime të autorëve të konsideruar jo komunikues, apo edhe hermetikë.
Pse duhet të jetë gjithmonë i tillë, ky akt kaq i veçantë i krijimit që të imponon besimin dhe dyshimin njëkohësisht? Energjia, vullneti, fanatizmi dhe asketizmi, sakrifica e domosdoshme e këtyre etheve i ngjan pasionit të udhëtarëve të mëdhenj, eksploratorëve këmbëngulës të hapësirave të papara, atletëve të xhunglës shpirtërore. Gjithsesi, krijuesi është si fëmija, i ngazëllyer në çastin kur përmbyll një vepër, një gjetje. I duhet një përkrahje, një zë që i thotë: misioni yt është përmbushur. Si alpinisti kur mbërrin në maje.
Të dashur miq, më lejoni që në fund të adresoj edhe njëherë falënderimet e mia për Shoqatën e Shkrimtarëve të Maqedonisë, ata që më propozuan dhe më zgjodhën për këtë çmim prestigjioz, për letrarët e respektuar, që u përkujdesën të ndjehem sot kaq mire”, tha Akademik Eqrem Basha, njohton Almakos.
Nga Qyteti i Shkupit, Koce Trajanov, akademikun Eqrem Basha e emëroi “Poeti i qytetit të Shkupit”, ku dhe ju nda një pllakatë.
Në mitingun e poezisë lexuan rreth njëzet poetë, në mesin e cilëve edhe Delvina Kërluku dhe Adem Abdullahu, anëtarë të shoqatës.
Në pjesën tematike të kuvendit u fol për gjendjen e lekturës shkollore, ku fjalë hyrëse paraqitën Vele Smilevski dhe Resul Shabani.
“Lektura në gjuhën shqipe, në Maqedoni ballafaqohet me shumë probleme. Problemi i parë është vjetërsia e saj, e cila daton ndoshta trjedhetë a dyzetë vite më parë. Pra me një palë lektura janë shërbyer gjyshi, baba dhe nipi. Kërkohet një rifreskim në këtë aspekt. Problemi i dytë është mos botimi i saj. Botimi i lekturës për shkollat fillore është botuar më 1989, kurse ajo e shkollës së mesme më 1990. Domethënë edhe si botim është i vjetëruar, por edhe paraqet problem meqë nxënësit në bibliotekat e shkollave apo qyteteve nuk mund t’i gjejnë këto lektura. Problem tjetër është edhe raporti i veprave në gjuhë, ku veprat shqipe të autorëve shqiptar janë të përfshirë me më pak se 50 përqind. Dhe problem më i madh është se tek autorët shqiptar mungojnë autorët shqiptar nga Maqedonia, kjo mungesë është shumë e theksuar dhe kërkon një intervenim sa më të shpejtë, meqë në Maqedoni ka autor dhe vepra, që në mënyrë të denjë të përfshihen në lektyrat shkollore. Një problem tjetër është se paraqet prezenca e sentimentalizmit si tematik, por edhe socrealizmit në shkollë si drejtim letrar, prandaj i apelohet ministrive që sa më shpejt përmes Byrosë për zhvillimin e arsimit të formojnë komisione përkatëse, komisione të cilat, në mëyrë profesioniste do ta bënin rishikimin e kësaj liste dhe rifreskimin e saj”, tha shkrimtari Resul Shabani, për Almakos.
D.Kërluku
Almakos.com