Sot ka filluar paraqitja për regjistrim në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” për vitin akademik 2017-2018, e cila do të vazhdoj edhe nesër. Sipas konkursit për regjistrimin e studentëve në ciklin e parë të studimeve për vitin e ardhshëm akademik në këtë universitet, vende të lira janë gjithsej 10.818. Prej tyre 5.865 janë për studentë të rregullt, për të cilët participimi shkollor është 200 euro, 3.793 vende janë për studentë të rregullt me bashkëfinancim, me 400 euro në vit dhe 1.116 për studime me korrespondencë, që gjithashtu paguhet 400 euro.
Nga Fakulteti i Filozofisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” thonë se ky fakultet ka gjithsej 1093 vende të lira për studentët e rinj. Ndërkaq, siç tha sekretaresha e fakultetit filozofik, Katerina Pejkova, sot rreth 200 studentë i kanë sjellë dokumentet për t’u regjistruar, që sipas saj është një numër solid i të interesuarëve.
KATERINA PEJKOVA, SEKRETARESHË NË FAKULTETIN FILOZOFIK
“Sot është dita e parë për dorëzimin e dokumenteve në Fakultetin Filozofik, pranë Universitetit ‘Shën Kirili dhe Metodi’. Pjesmarrja është solide, pra normale. Studentët së pari paraqiten në mënyrë elektronike, pastaj i sjellin dokumentet tek ne dhe pason hapi i ardhshëm që është vlerësimi, rangimi e kështu me radhë. Sot është dita e parë, ne mund të themi se nga paraqitja elektronike, numri është i kënaqshëm, rreth 650 kandidatë janë paraqitur në Fakultetin Filozofik”.
Në anën tjetër, edhe studentët tregonin arsyet se përse kanë vendosur që të studjojnë në drejtimet e përzgjedhura.
STUDENTE
“Unë kam zgjedhur albanologjinë…sepse më pëlqen dhe dëshiroj të vazhdoj ta studjoj gjuhën shqipe”
STUDENTE
“Gjuhën frenge…nuk e di përse, por më pëlqen shumë kjo gjuhë”
STUDENT
“Gjuhën angleze, si përkthyes…Sepse anglishten e kam mësuar prej shkollës fillore, diku 8 deri 10 vite dhe mendoj se atë duhet ta vazhdoj ta studjoj“.
STUDENTE
“Unë kam zgjedhur drejtimin e albanologjisë. Thjesht më ka pëlqyer qysh më herët”.
Këtë vit, në Universitetin e “Shën Kirilit dhe Metodit” janë hequr studimet e disperzuara. Ndërsa, kandidatët të cilët nuk do të mund të paraqiten për regjistrim këtë javë, mund të paraqiten në afatin e dytë të regjistrimit më 4 shtator, ndërsa afati i tretë është më 15 shtator.
Emine Ismaili