Gjykata Kushtetuese publikoi të mërkurën vendimin e zbardhur, që rrëzoi më 22 dhjetor kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur si Vetting-u. Në vendimin e zbardhur përfshihen edhe mendimet e dy gjyqtarëve, Gani Dizdari dhe Besnik Ymeraj që votuan pro kërkesës së PD-së. Zbardhja e vendimit nga Kushtetuesja do të pasohet me botimin e tij në Fletore Zyrtare, nga ku më pas nisin dhe hapat e nevojshëm procedurale për zbatimin e ligjit kyç të reformës në drejtësi.
Tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u mblodhën për 3 orë e gjysmë në dhomën e Këshillimit për të shqyrtuar ligjin e ‘Vettingut’, i cili do të vlerësojë figurën dhe pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Trupa e gjyqtarëve ka hedhur poshtë me 6 vota kundër dhe 2 pro pretendimet e opozitës.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se ligji i Vettingut nuk cenon parimin e ndarjes së pushteteve. Ndër të tjera në vendimin e Gjykatës thuhet se Vettingu është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe se garanton funksionimin e shtetit të së drejtës. Ndërkohë, në Tiranë do të mbërrijë misioni ndërkombëtar i monitorimit, i përbërë nga gjyqtarë të huaj me përvoje mbi 15-vjeçare.
18 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)