Greqi, gazetarët në grevë kundër masave shtrënguese

Ballkan | Publikuar më 16.05.2017 në ora 18:01

Punonjësit e sektorit të medias në Greqi, kanë filluar një grevë 24 orëshe për të protestuar kundër masave të reja shtrënguese të qeverisë, raporton AA.

Në kuadër të grevës që filloi në ora 06:00 me thirrjen e Federatës së Gazetarëve të Greqisë (POESY), kanalet televizive private si dhe ato shtetërore, agjencitë e lajmeve, radio-stacionet dhe portalet kanë ndërprerë transmetimet dhe publikimet.

Gjithashtu edhe konferencat për media janë anuluar gjatë grevës. Për shkak të grevës nesër nuk do të shtypen gazetat.

Pritet që punonjësit e mediave të organizojnë protestë përpara ndërtesës së Unionit të Gazetarëve të Athinës (ESIEA).

Nesër grevë e përgjithshme

Ndërkohë të mërkurën punonjësit e sektorit publik dhe privat, do të nisin një grevë 24 orëshe kundër masave shtesë shtrënguese në kuadër të programit për paketën e shpëtimit.

Në grevën e cila do të bëhet me thirrjen e Konfederatës së Sindikatave të Punëtorëve në Greqi (GSEE), Federatës së Punonjësve Publik (ADEDY) dhe Organizatës Punëtorët e Frontit Militant (PAME), do të marrin pjesë punonjësit e sektorit publik dhe privat si dhe grupet e vetëpunësuar.