Greva e të punësuarve në kompanitë e shërbimeve komunale të komunave greke që filloi javën e kaluar edhe më tej vazhdon, ndërsa pothuajse një mijë demonstrues me thirrje të Federatës së të Punësuarve të Pushtetit Lokal (POE-OTA) u mblodhën sot në sheshin Karaiskakis në Athinë, raporton AA.
Demonstrantët më pas marshuan deri te Ministria e Punëve të Brendshme dhe brohoritën parullat “Deshët apo jo do t’i vazhdoni kontratat” duke kërkuar takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Greqisë, Panos Skourletis.
Pasi paraprakisht u refuzua kërkesa e punëtorëve të cilët përballen me mundësinë e humbjes së punës për takimin, kjo i revoltoi demonstrantët gjë që solli deri tek përleshja me policinë.
Në mënyrë shtesë delegacioni u takua me ministrin Skourletis, por siç u tha, nuk u arrit zgjidhje.
Delegacioni negociues paralajmëroi protesta të mëdha të enjten dhe u bëri thirrje të gjithë banorëve që t’u bashkohen.
Edhe kryetari i Unionit të Komunave Greke (KEDE) Yorgos Patulis për AA deklaroi se protestat do të zgjasin nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje e caktuar.
Për shkak të grevës së punonjësve komunalë në Athinë dhe qytetet tjera janë të dukshme tashmë sasitë e mbeturinave, ndërsa aroma e pakëndshme përhapet në disa vendbanime. Temperaturat e ajrit në Athinë arrijnë deri në 35 gradë celsius, për shkak të së cilës ka mundësi të paraqiten probleme me higjienën dhe shëndetin.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve që të mos hedhin mbeturinat nga shtëpia për aq kohë sa të jetë e mundur. Momentalisht rreth 10.000 punonjës të shërbimeve komunale përballen me mundësinë të mbesin pa punë.