Pjesëmarrja, roli dhe pozita e grave në institucionet qendrore, lokale, dhe në partitë politike në vend është nën mesataren. Papunësia e lartë tek gratë në Maqedoni është e dukshme, posaçërisht tek gratë e bashkësive etnike, jo shumicë. Vlerat tradicionale, me reduktimin e grave drejt roleve të tyre tradicionale të amviseve dhe nënave me të cilat po pengohen ato nga të menduarit për një vend pune ose karrierë janë akoma gjerësisht të përhapura në komunitet lokale, njohton Almakos.
Nëse gratë janë pjesë e çdo sfere të jetës,aktivistja për të drejtat e gruas, njëherë profesore Gjyla Çeliku, thotë se politika shqiptare ka një numër të vogël të përfaqsuesve të grave, në institucione vendore, ku dhe redukton pjesmarrjen e saj në vende pune, ku ajo ka aftësi dhe guxim për të vepruar.
“Gratë janë gra, janë të gjitha të njejta për mua. Po t’i diferencoja edhe këtu me shumicë ose pakicë, të këtij apo atij nacionaliteti, 30 deri 40 përqind, edhe mund t’i diskriminoja, padashur. Gruaja duhet të përfshihet dhe avancohet në të gjitha proceset shoqërore, veçanërisht në atë të punës sepse, ajo me duart e veta e shtron ardhmërinë e fëmijëve dhe gjeneratave të reja. Gruaja shqiptare, në Maqedoni, sot ne veçanti diskriminohet nga politika shqiptare. Pasi kur llogarisim si pjesmarrja e saj në punësimin në ekzekutiv, drejtori, sekretariate, shihet se aty ajo përfaqësohet për ‘marre të zezë’, nga partitë shqiptare. Bilanc ky me dy zëvendëse ministri, duke u anashkaluar edhe në eshalonin e dytë dhe të tretë. Pasi barazia gjinore fillon me vlerësimin e njejtë të gjinive dhe ku të njejtët në mënyrë të barabartë do të kontribojnë për të përfituar nga zhvillimi ekonomik, shoqëror, kulturor dhe politik. Në fakt, kjo temë do një trajtim më të thellë dhe më të gjërë, pikë kjo që unë e kam edhe projekt ku nga tri gra të sukseshme të çdo qyteti të Maqedonisë do të dalin me një raport statistikor se sa është gruaja e përfaqësuar, sa gruaja ka treguar më shumë suksese në raport me burrat dhe sa gruaja e atij qyteteti ka nevojë të përfaqësohet, atëherë do të keni të dhëna të sakta për këtë problematikë. Tash mua më duhet të jem e sinqertë, as vendet më të zhvilluara në botë nuk është që kanë arritur një barazi të plotë mes gruas dhe burrit, ku gruaja vazhdon të diskriminohet.
Maqedonia është vend në tranzicion, shqiptarët popull i diskriminuar, gratë të diskriminuara dy herë, edhe atë nga sistemi edhe nga politika, si mund ta shoh unë gruan në procesin e punës? Përgjigjia është pabarazi ekonomike, pozita e varur në familje, në shpërndarjen e detyrave në familje, pjesëmarrje më pak se minimale politike (vetëm për dekor dhe vota), pozita e pafavorshme në tregun e punës, kontrolli i të ardhurave të veta në familje dhe disponueshmëri e ulët financiare (sepse është grua) dhe shumë e shumë çka… E gjithë kjo ka efektin e reduktimit të mundësive për përfshirjen e vërtetë të gruas në shoqëri, ku ngre dyshime për vlerat e grave, madje edhe duke qenë grua privon shoqërinë me të gjitha vlerat dhe fuqitë krijuese të më shumë se gjysmës së antarëve të vet, të cilët gjithashtu duhet të kontribojnë për avancimin e gruas”, thotë Gjyla Çeliku, për Almakos.
Kur bëhet fjalë për punësimin, gjendja është edhe më e vështirë. Në përgjithësi, ka diskrepancë të madhe në shkallën e punësimit midis burrave dhe grave, sidomos në zonat rurale. Në lidhje me llojin e punësimit, gratë në Republikën e Maqedonisë tradicionalisht janë kryesisht të përfaqësuara si punonjëse dhe punëtore të papaguara në familje. Edhe pse Institucionet qeveritare kanë bërë përpjekje për ta arritur një shoqëri të mundësive të barabarta, për të gjithë qytetarët, ku gratë, pakicat etnike, të varfërit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe njerëzit tjerë të cënueshëm do të shfrytëzojnë mundësi të barabarta, në mesin e të cilave dhe mundësitë e punësimit. Megjithatë, për shkak të mungesës së afrimit drejt qytetarëve të privuar, programet zyrtare për integrim nuk marrin aq shumë në konsideratë kushtet e jetesës brenda bashkësive etnike dhe deri më tani kanë ndërmarrë veprime shumë të kufizuara në përmirësimin e qasjes së pakicave etnike në tregun e punës. Kështu përmirësimi i njohurive të profesionistëve të inkuadruar në këtë çështje është vendimtar për programe më efikase qeveritare, që targetojnë kategoritë e cënueshme, njofton Almakos.
Sipas një qytetare, gruaja ka rolin kyç si në familje ashtu edhe në shoqëri, mjafton që ajo të përkrahet, për të arrit qëllimet, për të kryer një punë, që nevoitet në shoqëri.
“Gjëja më e bukur, për femrën është të qenit nënë. Pastaj nëna është ajo që bën sakrificë, për fëmijën dhe familjen. Ajo duhet, herën e parë, të ketë ndihmën e burrit, prindërve, që të arrijë të zë një vend në shoqërinë ku veprojnë, për një qëllim të caktuar. Ajo ka vlerë në familje se çdo herë duhet menduar se nëna është ajo që e kënaq fëmijën si me mbikqyrje edhe me dashuri dhe edukatë.
Sot, fatmirësisht sistemi demokratik ka ndikuar pozitivisht edhe në demokratizimin e familjes e shoqërisë. Sot kemi femra mësuese, inxhiniere, ekonomiste, jurist, mjeke dhe çdo lloj profesioni tjetër, për t’i arrit këto vende pune, që të kontribuojë në shoqëri, asaj i nevoitet mirëkuptim, tolerancë dhe respekt, nga familja dhe shoqëria. Shoqëria jonë ka kuptuar vlerën e gruas, prandaj e pranon integrimin e saj ne çdo fushë. Por, sa i jepet hapsirë, kjo nuk duket dhe aq, në vendin tonë”, tha V.K, për Almakos.
Delvina Kërluku
Almakos.com