Grubi dhe Osmani të njëzëshëm: Koha për NATO është tani

Kryesore | Publikuar më 13.09.2017 në ora 16:44

Zëvendëskryeministri  për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, realizoi sot një takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës Federale të Gjermanisë, Tomas Gerberih. Zëvendëskryeministri Osmani, siç kumtoi SÇE, e përshëndeti interesimin e Gjermanisë si dhe mbështetjen e deritashme të Maqedonisë në përpjekjet që vendi të kthehet në rrugën euro- atlantike, me interes edhe për shumicën e qytetarëve.

Osmani informoi Ambasadorin edhe për vizitën e tij të fundit në Berlin, duke theksuar se Gjermania u dëshmua partner strategjik i Republikës së Maqedonisë për t’u integruar në BE, në veçanti me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare dhe teknike për institucionet nacionale.

“Gjermaninë e konsiderojmë si përkrahëse të fuqishme të politikës së zgjerimit dhe aderimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, gjë që u dëshmua më së miri me inicimin e Procesit të Berlinit dhe samitet që pasuan në Berlin, Vjenë, Paris dhe së fundi në Trieste”, theksoi zëvendëskryeministri Osmani dhe shprehu pritje se ky bashkëpunim tradicionalisht i suksesshëm ka për të vazhduar edhe gjatë mandatit të tij.

Zëvendëskryeministri Osmani e njoftoi ambasadorin Gerberih edhe me Planin 3-6-9 dhe realizimin e deritanishëm të tij, me prioritetet e Qeverisë së re për zhbllokimin e proceseve të integrimeve euro- atlantike të vendit, si dhe me kursin e ri të politikës së jashtme për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Sikurse theksoi Osmani, për këtë flet firmosja e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, por edhe vizita e suksesshme e ministrit të Jashtëm grek, Koxias në Maqedoni. Sipas tij, ky është vetëm fillim i avancimit të marrëdhënieve me vendet fqinje që ka për të vazhduar edhe në të ardhmen.

 “Gjatë periudhë së ardhshme pres progres në çështjen e integrimeve euro- atlantike dhe në këtë drejtim pres mbështetje për zgjidhjen e plotë të çështjes së pranimit të Maqedonisë në NATO”, theksoi Osmani gjatë takimit.
Ai shtoi se Maqedonisë, i nevojitet një qartësi e perspektivës evropiane, me qëllim të përforcimit të agjendës evropiane të vendit, si dhe të mbarë rajonit”, qëndron në kumtesën e SÇE-së.
Në të njejtën linjë me Zëvendëskryeministrin Osmani është edhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi. Në profilin e tij në FB, përmes një statusi, Grubi duke përshkruar takimin që pati sot me përfaqësuse të NATO-së të udhëhequr nga Dr.Knut Kirst, shkruan:

Koha për NATO është tani!
Në takimin miqësor me përfaqësues të NATOsë të udhëhequr nga Dr. Knut Kirst, funksionar i lartë i sektorit politik dhe mbrojtës i NATO-së, diskutuam hapur për nevojën imediate për anëtarësim të vendit tonë në familjen euroatlantike.