Ish-kryeministri Nikolla Gruevski mbajti fjalim politik në Gjykatën e Apelit ku po shqyrtohej paraburgimi i tij si i akuzuar në rastin “Titanik”, duke thënë se Prokuroria Speciale Publike po përndjek politikisht atë dhe drejtuesit e partisë së tij, për t’ia dobësuar partinë dhe për t’ia shkurtuar numrin e votave. Gjatë fjalimit të përmbledhur në disa faqe teksa arsyetonte përse nuk duhet shkuar në paraburgim, ai theksoi se në qoftë se e burgosin, kjo do ta vendoste në pozitë më të ulët se oponenti i tij politik, dhe kështu ka gjasa që të humb votat.
NIKOLLA GRUEVSKI, KRYETAR I VMRO DPME
“Vazhdon teatri dhe përndjekja politike e PSP-së. U paraqita këtu që t’u përgjigjem të gjitha gënjeshtrave që ata i eksponuan periudhës së fundit dhe t’u jap një porosi se unë planifikoj të fitoj në zgjedhjet e ardhshme si lider i një partie politike dhe VMRO DPMNE do të kthehet përsëri në pushtet. Nuk kam ndërmend të ikë nga shteti. Ky ishte mesazhi im kryesor. Asnjëherë nuk ju kam ikur ftesave të PSP-së. Gjithmonë kur kam udhëtuar ua kam bërë me dije, edhe pse nuk kam patur obligim të bëjë një gjë të tillë”
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski herët në mëngjes u paraqit në gjykatë për rastin “TITANIK” ku akuzohet për për keqpërdorimin e mjeteve për fushatë politike, cenim të të drejtës për votë dhe për bashkim për aktivitete kriminale. Ishte në shoqëri të katër avokatëve të cilët mbrojtën edhe zyrtarët e tjerë të lartë të VMRO DPMNE-së të akuzuar për bashkim kriminal dhe krime të tjera zgjedhore. Prokuroria Speciale Publike insiston për paraburgosjen e Gruevskit, për shkak se siç theksohet, ai ka shumë para dhe udhëton shpesh dhe kjo është ngjallë frikën se mund të arratiset jashtë vendit dhe ta sigurojë ekzistencën atje.
GAVRILL BUBEVSKI, PROKUROR I PSP-SË
“Ne edhe më tej qëndrojmë në atë se ata e pengojnë procedurën. Vlerësojmë se ndikimin që e kanë ata në sferën e tyre, me anë të funksioneve që i kryejnë në parti, dhe sipas asaj që tashmë e tregojnë edhe publikisht në media, ata ndikojnë tek dëshmitarët tanë në drejtim të deklaratës që duhet ta japin në shqyrtimin kryesor”
Përballë ankesave të PSP me të cilat kërkon paraburgim, dolën edhe ish sekretari i Qeverisë, Kirill Bozhinovski, Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska, të cilët premtuan se do të jenë gjithmonë të gatshëm për t’u përgjigjur në ftesat e PSP dhe asesi nuk kanë ndërmend të ikin pasi e kanë familjen, pronën dhe gjithçka tjetër këtu. Por, kërkonin edhe t’ju kthehen pasaportat që të kenë mundësi të udhëtojnë për pushime. Specialja dyshon se Gordana Jankullovska ka tentuar të ndikojë edhe tek një dëshmitar.
GORDANA JANKULLOVSKA, E AKUZUAR
“PSP është një ekzekutues politik i LSDM-së dhe të gjithë oponentëve të VMRO DPMNE-së. Ata tentuan me pohime të pavërteta dhe të paargumentuara të kijojnë një fotografi për gjoja nevojën e masave që i propozuan. Pas gjithë asaj që u tha në gjykatë është e qartë se unë asnjëherë nuk kam dhënë arsye as të propozohet e jo më të shqiptohet një masë e tillë ndaj meje. Por, unë besoj se gjykatësit do të punojnë sipas ligjeve dhe fakteve dhe nuk do të solidarizohen me ndonjë agjendë politike”
Ish-shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjeri nuk u paraqit në sallë pasi avokatët thanë se është në pushim mjekësor. Të hënën do të vazhdojnë seancat e tjera të hapura lidhur me ankesat e Prokurorisë Speciale. Teksa vijojnë ankesat në shkallën e dytë gjyqësore, Gjykata Supreme njoftoi se i ka marrë tashmë ankesat e Prokurorisë Speciale ndaj vendimeve të Apelit dhe në momentin që do të kompletohet ekipi do të shqyrtohen dhe do të merren vendimet.
Ferikan Iljazi Arifi