Prokuroria dyshon se disa prej pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës kanë ardhur në Lagjen e Trimave për para, ndërsa një pjesë tjetër ka pasur ideale politike dhe kombëtare. Gjatë fjalimit përfundimtar, prokuroria tha se ata kanë prova të mjaftueshme se 29 të akuzuarit për terrorizëm i kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen dhe po ashtu kanë materiale edhe për tetë të akuzuarit për logjistikë që i kanë dhënë grupit ndihmë teknike.
NAUM PANOVSKI, PROKUROR
“Padyshim që me këto prova vërtetohen kualifikimet juridike me të cilat ngarkohen të akuzuarit”
Por, familjarët dhe avokatët refuzojnë se grupi ka ardhur për para.
FISNIK KABASHI, BABA I BETIM KABASHIT
“Kërkoj nga liderët politik të angazhohen që procesi i Kumanovës të kalojë tek Prokuroria Speciale e Katica Janevës. Le tmë del një shqiptar, më i varfëri dhe le të më tregojë se unë do të shkoj të luftoj për para. Ata kanë ardhur vetëm të bëjnë kërkesë, t’ua tërheqin vërejtjen politikanëve si çifti i Ali Ahmetit, Artan Grubit e disa të tjerë, as Menduh Thaçi nuk është më i mirë të cilët në kurriz të popullit i kanë mbushur xhepat. Janë bërë milionerë brena natës ndërsa populli nuk ka bukë”
NASER RAUFI, AVOKAT
“Prokuroria tha se motivi i grupit ka qenë lukrativ, interesi materila apo për lekë dhe një pjesë tjetër për arsye politike dhe ideale. Mendoj se ky kombinim është një pasiguri tek prokuroria. Motivi sipas neve është vetëm kauza për popullin shqiptar”
Njëzetë shtetas të Kosovës dhe nëntë të Maqedonisë rrezikojnë dënime tejet të larta që parashikohen me veprat terrorizëm dhe organizim terrorist, ndërsa tetë shtetasit e Maqedonisë të akuzuar për shërbime të ndryshme logjistike rrezikojnë dënime më të ulëta pasi nuk kanë marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në lagje.
Sipas akuzës së re, prej personave që gjendeshin në sallën e gjykatës, vetëm Andi Krasniqi-Komandant Malisheva llogaritet si organizator. Me të prokuroria pohon se kanë bashkëorganizuar të ndjerët Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj dhe Xhafer Zymberi, ndërsa personi i fundit që llogaritet si organizator- Zijadin Krasniqi, gjendet në arrati.
Prokurori Naum Panovski shpjegoi se grupi ka qenë i organizuar tej mase për të ardhur në Maqedoni dhe për të ndjellë frikë dhe pasiguri tek qytetarët, duke sulmuar objekte, vrarë njerëz e duke krijuar situata kaotike. Sipas Prokurorisë, kjo më së miri dëshmohet me armatimin e rëndë që ua kanë gjetur si snajperë, bomba dore, raketa dore, аutomatikë dhe një sasi e madhe e municionit, gjithë këto të ndaluara për posedim.
Sipas prokurorit Naum Panovski, i akuzuari Andi Krasniqi Malisheva, së bashku me të tjerët kanë qenë të angazhuar të sigurojnë mjete financiare dhe të koordinojnë aktivitetet, ndërsa rangu i dytë i luftëtarëve kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin objektet që kanë qenë caqe potenciale për sulme. Eshaloni i tretë ka qenë përgjegjës për ndihmë logjistike.
Paraprakisht gjatë seancës, të akuzuarit Valdet Zekaj, Rufki Dogani, Shefqet Hallaqi, lëshuan sallën në shenjë bojkoti pasi thanë që nuk mundeshin t’i dëgjojnë pallavrat e prokurorisë dhe gënjeshtrat që i kanë shpikur.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Grupi i Lagjes së Trimave, prokuroria i cilëson… by tvshenjaofficial