Herët në mëngjes policia ka arrestuar Igor Jugun i dyshuar për pjesëmarrje në zhvillimet e 27 prillit në Kuvend. Policia për pesë muaj ka qenë duke e kërkuar atë, ndërsa që nga muaji maj, atij i është caktuar masa e paraburgimit.
Jug është arrestuar në banesën e babait të tij të ndjerë, e cila gjendet 100 metra larg stacionit policor në Kumanovë.
Policia ka njoftuar se ai nuk ka rezistuar gjatë arrestimit. MPB pas arrestimit ka lëshuar një komunikatë në të cilën njofton se përpos për dhunën në Kuvend, ai kërkohej edhe për rrahje dhe pjesëmarrje në turmë e cila do të bëjë vepër penal, ndërsa stacioni policor Bit Pazar e ka kërkuar për pjesëmarrje në plaçkitje.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Më datë 21.09.2017 nga ana e personave zyrtarë pranë Sektorit për Punë të Brendshme Kumanovë, pas urdhrit të mëparshëm të Prokurorisë Themelore Publike të lëshuar më 16.05.2017 për shkak zhvillimeve në Kuvend, është arrestuar personi I.J (47) nga Kumanova nën dyshimin se ka bërë veprën penale ‘Pjesëmarrje në turmë që do të pengoj personin zyrtar në kryerjen e obligimit’ vepër kjo e dënueshme në bazë të nenit 384 paragrafi 1 nga Kodi Penal i Maqedonisë”
Igor Jug gjatë ngjarjeve të dhunshme në Kuvend ishte edhe në press qendrën ku u sulmuan dhe u rrahën deputetë dhe gazetarë. Në incizimet shihet se si mbanë edhe armë. Ai u përmend edhe nga agjenti serb Goran Zhivaleviq se ai ka qenë vrasësi i paguar me detyrë për të likuiduar kryeministrin Zaev më 27 prill në Kuvend.
Igor Jug është udhëheqës i shoqatës “Vllado Çernozemski” nga Kumanova e cila ishte pjesë e “frontit patriotik”.
Enis Murtezi /SHENJA/