Identifikohet autori i sulmit në Paris

Bota | Publikuar më 21.04.2017 në ora 09:46

Prokurori shtetëror francez, Francois Molins, konfirmoi se është identifikuar sulmuesi i cili mbrëmë në Paris kreu sulm në të cilin humbi jetën një polic, ndërsa një tjetër u plagos, raporton Anadolu Agency (AA).

Molins theksoi se aktualisht, për shkak të zhvillimit të hetimit, nuk do të zbulojë identitetin e sulmuesit.

Policia ka kryer bastisje të shtëpisë së të dyshuarit që gjendet në vendin Seine-et-Marne, afër kryeqendrës franceze.

Kanali BFM thekson se sulmuesi është i vdekur dhe se bëhet fjalë për një shtetas francez të moshës 39-vjeçare i lindur në Seine-Saint-Denis. Kanali televiziv francez thekson se sulmuesi më herët ka qenë i dënuar dhe se shërbimi i inteligjencës e ka ndjekur.

Një polic humbi jetën, ndërsa së paku një tjetër u plagos gjatë sulmit që ndodhi mbrëmë në Champs Elysees në Paris.

Presidenti francez Francois Hollande tha se, sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për sulm terrorist.