Një ngjarje e mbajtur në Toronto të Kanadasë, ku ka marrë pjesë edhe konsulli maqedonas, Jovica Pallashevski, ka ngritur sërish tensionet mes Greqisë dhe Maqedonisë. Në skenën ku është mbajtur evenimenti, Pallasheski ka paraqitur në sfond hartën e “Maqedonisë së Madhe”, e cila përfshin edhe territorin grek. Në lidhje me këtë ka reaguar menjëherë Athina zyrtare, e cila simbolet e paraqitura nga Pallashevski i ka quajtuar simbole irredentiste.
MPJ GREKE
“Dënojmë pjesëmarrjen e konsulit të përgjithshëm të IRJM-së në Toronto, Jovica Palleshevski në ngjarje irredentiste, pjesëmarrje që paraqet edhe një shkelje nga ana e IRJM-së të Marrëveshjes së Përkohshme, me të cilën kërkohet përmbajtje nga çdo lloj aksioni me të cilin mbështeten pretendimet territoriale”.
Ministria e Jashtme greke kërkon nga Qeveria e re e Maqedonisë që të heq dorë nga irredentizmi, si hap i domosdoshëm për realizimin e aspiratave euroatlantike.
MPJ GREKE
“Qeveria e re e IRJM-së thotë se synon një fillim të ri në raportet me Greqinë. Megjithatë, edhe përkrah ndryshimit të pushtetit, duket se irredentizmi edhe më tej është ideologji shtetërore dominuese dhe praktikë e përditshme politike në vendin tonë fqinjë. Heqja dorë nga irredentizmi, respektimi i kufinjve dhe zbatimi praktik i parimeve për fqinjësi të mirë janë kushte të domosdoshme për realizimin e aspiratave euroatlantike të IRJM-së”.
Ndërkohë, nga MPJ e Maqedonisë kanë thënë se punojnë në zbardhjen e këtij rasti dhe se do të dalin me qëndrim zyrtar kur do të mbledhin të gjitha detajet dhe të dhënat e nevojshme. Teuta Buçi /SHENJA/