Qeverinë e ardhshme e pret një punë shumë e vështirë për të rikthyer vendin në rrugën e integrimeve Euro-Atlantike, pas një dëmi shumë të madh të shkaktuar në vitet e kaluara, kështu kanë vlerësuar panelistët gjatë debatit “Hyrja në Kuvend, dalja nga kriza dhe anëtarësimi në BE”. Ambasadorja e Gjermanisë, Kristine Althauzer, tha se Maqedonia ka humbur shumë kohë në këtë drejtim. Ajo ka rikujtuar Maqedoninë për kontributin e bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e krizës në Maqedoni, ndërsa ka shtuar se Gjermania do të qëndrojë edhe më tej në këtë drejtim, dhe do të vazhdojë të ndihmojë që Maqedonia të ecë përpara në rrugën e integrimeve evropiane.
“BE dhe SHBA kanë ndërmjetësuar Marrëveshjen e Përzhinos dhe unë mendoj se ka qenë çdoherë çështja e reformave dhe që të hapet tani një kapitull i ri të hapet duhet të kthehemi te çështja e reformave. Vendi ka pritur shumë kohë që të zgjidh këto problem. Shumë kohë është humbur. Tani është koha që vendi të kthehet në atë rrugë. Ka pasur dhe ka shumë ndihmë nga ana e BE-së. BE ashtu si edhe ShBA-ja kanë ndihmuar çdoherë në këtë proces, po ashtu edhe Gjermania. Ajo nuk është vlerësuar çdoherë nga të gjitha palët, por ajo është pjesë e punës sonë”, tha ambasadorja gjermane.
Ish diplomati, Nikolla Dimitrov thotë se Maqedonia është në gjysmën e rrugës së zgjidhjes së krizës, ndërkohë sipas profesorit universitar Nano Ruzhin, sulmuesit e 24 dhjetorit dhe 27 prillit ishin të vetëdijshëm se marrëdhëniet ndëretnike janë pika e dobët e Maqedonisë dhe se këtë ato kishin për qëllim.
“Sipas meje ne jemi në gjysmën e rrugës së zgjidhjes së krizës. Kjo krizë nuk filloi për shkak se Maqedonia nuk kishte Qeveri apo se i duheshin zgjedhje të reja, kjo krizë filloi për shkak se kemi krizë të thellë të mosndëshkimit, situatë në të cilën të gjithë dëgjuam për një mal të krimit ndërsa, institucionet nuk janë të gatshme të ballafaqohen me atë krim. Në pjesën e mekanizmave për ballafaqim, shteti i së drejtës, pushteti ekzekutiv është shumë i rëndësishëm por, nuk është i vetmi”, deklaroi Dimitrov.
“Në vitin 2001 ishin të paktë ata të cilët pranuar Marrëveshjen e Ohrit. Sot ne jetojmë në kushte kur praktikisht ajo marrëveshje është një tendë e stabilitetit të Maqedonisë dhe nëse do më parashtronit pyetje se çfarë duhet të bëjë Qeveria e re, ajo nuk duhet vetëm në mënyrë kuantative të perfeksionoj format e pjesëmarrjes së të rinjëve shqiptar dhe të tjerë nëpër institucione, por në mënyrë kualitative të përmirësoj marrëdhëniet ndëretnike”, tha Ruzhin.
Ndërkohë, profesoresha universitare, Besa Arifi, tha se gjatë këtyre 10 viteve të fundit Maqedonia jo vetëm që ka mbetur në vend por edhe ka shkuar mbrapa në proceset e eurointegrimit dhe do ketë nevojë për një punë shumë të madhe për t’u kthyer në trendin e integrimeve.
Teuta Buçi /SHENJA/
Integrimet euro-atlantike, Maqedonia ka humbur… by tvshenjaofficial