Investuesit e huaj kanë marrë 225 milionë euro ndihmë shtetërore

Kryesore | Publikuar më 13.09.2017 në ora 12:07

Mbi 225 milionë euro nga buxheti i shtetit janë shpenzuar për hyrjen
e 25 kompanive të investuesve të huaj të cilët kanë punësuar 20.000 persona. Kjo do të thotë se Qeveria e mëparshme ka shpenzuar nga buxheti mesatarisht nga 11 mijë euro për një vend pune, publikoi sot Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë.
Zëdhënësi i Qeverisë Bile Boshnjakovski në konferencë për shtyp theksoi se shumica e këtyre vendeve të punës nuk kanë qenë të punësuar të rinj, por kanë qenë punëtorë të ndërmarrë nga ekonomia e Maqedonisë.
“Ky është rezultati i përmbledhur nga deklasifikimi i marrëveshjeve të lidhura në rreth të mbyllur dhe të cilat kanë qenë të mbyllura për opinionin. Marrëveshje me të cilat është injoruar ekonomia e Maqedonisë. Dëshirojmë të sqarojmë se nuk ka ekzistuar dokument apo udhëzues me kritere të qarta për negocim apo, të paktën, ne nuk e gjetëm. Kritere nuk kanë ekzistuar. Kanë negocuar ministra, këshilltarë, Qeveria e Nikolla Gruevskit i ka klasifikuar marrëveshjet, gjegjësisht e ka siguruar fshehtësinë e tyre”, theksoi Boshnjakovski.

 

Ai tha se të gjitha ato marrëveshje ende kanë vlefshmëri dhe se Qeveria do t’i përmbushë në tërësi të gjitha obligimet ndaj të gjithë investuesve të huaj.
Agjencia për Investime të Huaja, Zonat Zhvillimore Teknologjike-Industriale dhe ministrat pa portofol në Qeverinë e mëparshme kanë shpenzuar para të gatshme në grante të pakthyeshme në vlerë prej
26 milionë eurosh. Investuesve të drejtpërdrejtë të huaj për krijimin e vendeve të reja të punës u janë dhënë 14 milionë euro për trajnime pesë milionë euro dhe për punë ndërtimore 10 milionë euro.
Në periudhën nga viti 2007 në përfundim me majin e vitit 2017, lehtësimi i përgjithshëm tatimor të cilat investuesit e huaj e kanë marrë në bazë të lirimit tatimor dhe doganor është 59 milionë euro.
“Këto para kanë mundur, por nuk kanë hyrë në buxhetin e RM-së”, tha Boshnjakovski.
Ai shtoi se analiza e bërë nga ana e Qeverisë së re tregon se investuesit e huaj vetëm një për qind nga furnizimet e veta i kanë realizuar nga kompanitë e Maqedonisë. Boshnjakovski theksoi se pas deklasifikimit të marrëveshjeve, të dhënat publikisht janë të qasshme dhe e gjithë kjo do të dorëzohet edhe deri te organet gjyqësore të Maqedonisë.
Kjo është konferenca e parë për shtyp ku Qeveria doli me një pjesë të informacioneve nga analiza e realizuar për shpenzimet kundrejt rezultateve nga investuesit e drejtpërdrejt të huaj për periudhën
nga viti 2007 deri në maj të viti 2017. Në ditët në vijim Qeveria në konferencë të re për shtyp do të publikojë informacione më të hollësishme për 130 milionë eurot e shpenzuara të cilat janë ndarë për
tërheqjen e investuesve të huaj.