Ish drejtoresha e Qendrës për Punësim –Shkup,  jetë qejfi “në kurriz” të institucionit

Kryesore | Publikuar më 13.09.2017 në ora 17:06

Ndërrimi i qeverisë ka bërë që shumë nga ne të dëgjojnë për ushqime që  me rrogë normale as nuk mund t’u përmendësh emrin. Kjo sigurisht nga lajmet në të cilat qeveria aktuale ka publikuar keqpërdorimet që zyrtarët e qeverisë së kaluar kanë bërë, njohton Almakos.

Në mesin e emrave të zyrtarëve qe kanë shpenzuar shuma të mëdha  në llogari të institucionit që kanë drejtuar, është edhe ish drejtoresha e Qendrës për Punësim në Shkup, Sllobodanka Aleksovska.
Çorape burrash, letra të lagura, kozmetikë, spërkatës, qumësht për trup, smoki, cigare, kaçkavall të përzier dhe vezë thëllëze japoneze, pije soje, haribo, peshk të freskët salmon dhe levrek, produkte të konservuara, stika dhe fruta arrore, janë një pjesë e produkteve të cilat Aleksovska, i ka blerë në llogari të Qendrës për Punësim në Shkup në kuadër të Agjencisë për Punësim, tha sot drejtoresha e Agjencisë, Biljana Jovanovska.

“ Në kundërshtim me Rregullin për shfrytëzimin e automjeteve motorike zyrtare, Aleksovska ka shfrytëzuar dy automjete jashtë orarit të punës, pas orës 16 e 30 minuta edhe atë gjatë fundjavave, gjatë shfrytëzimit të ditëve të lira dhe gjatë shfrytëzimit të pushimit vjetor. Nga buxheti i Agjencisë, Aleksovska ka shpenzuar mjete për taksa rrugore dhe për parking jashtë orarit të punës gjatë ditëve jo-pune dhe në orët e vona të natës. Gjithashtu, për shërbime hotelerike ka bërë llogari në shuma mbi 6.000 denarë në orët e vona të natës dhe gjatë fundjavave”-  tha drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska.

Aleksovska, siç informoi drejtoresha e Agjencisë, nga buxheti i këtij institucioni në vitin 2016 i ka shpenzuar 429.597 denarë (rreth 7.000 euro), ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti 116.625 denarë (rreth 2.000 euro) për nevoja personale dhe familjare prej marketeve, qendrave tregtare, farmacive etj.

“ Aleksovska në pajtim me rregullat ligjore është suspenduar nga pozita drejtuese e Qendrës për Punësim të Qytetit të Shkupit, ndërsa është sjellë vendim për ngritjen e procedurës disiplinore, e cila do të vazhdojë pas përfundimit të zgjedhjeve. Në vijim është kompletimi i dokumenteve të nevojshme për parashtrimin e kallëzimit penal për vepra të kryera penale nga Aleksovska. “-  tha Biljana  Jovanovska.

Si dëshmi për këto pohime Jovanovska gazetarëve të pranishëm në konferencën e sotme për shtyp u ka treguar fotokopje dhe llogari fiskale. Jovanovska theksoi se rishikimi për vitet para viteve 2016 akoma nuk është bërë dhe se do të ndërmerren masa që të hetohet në tërësi prona e Agjencisë dhe të gjithë drejtuesve në këtë periudhë./ Almakos.com/

Evi Shkopi
Almakos.com