Ismail Kadare: Motra desh më mori në qafë, ndaj e quajta të çmendur

Kulturë | Publikuar më 03.08.2017 në ora 19:48

Dyzet vjet më parë, shkrimtari i njohur Ismail Kadare i dërgonte një letër Enver Hoxhës. Sot, kur kanë kaluar katër dekada pasi letra u shkrua (pa marrë atëkohë një përgjigje nga Hoxha), një debat i bujshëm ka shpërthyer në Tiranë. Ndërkohë që faksimilet e dorëshkrimit të Kadaresë qarkullojnë në media e rrjetet sociale.

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” ka shpjeguar letrën drejtuar Enverit, letër kjo që u mbajt e fshehtë për 40 vjet.

Ai ka hedhur dritë për ngjarjen e 1980- ës, ndërsa ka folur mbi raportin me të motrën, presionet e dilemat se pse letra doli tani dhe nga kush doli, baltën që hidhet sot dhe rrezikun e kahershëm, duke mohuar që është penduar pse i ka shkruar diktatorit, pasi siç Kadare shprehet: Vetëm Enver Hoxha mund të të mbronte nga Enver Hoxha.

Shkrimtari ka sqaruar rrethanat në të cilat u shkrua kjo letër, jo pa njëfarë zhgënjimi për mënyrën se si pjesë dosjesh publikohen:

“Kjo është e vetmja letër që unë i kam shkruar E.Hoxhës. Ishte thënë për Hoxhën diçka tepër e rrezikshme, për të cilën të ikte koka. Nuk jam penduar që e kam shkruar”…

– Zoti Kadare, në media qarkullon një letër, që ju i keni dërguar Enver Hoxhës, më 1980. Është e vërtetë kjo letër? I keni dërguar letra të tjera diktatorit?

Kjo është një letër e vërtetë, shkruar me dorën time. Madje, është faksimile e vetme. Është shkruar më 1980 dhe është letra e vetme që i kam dërguar në jetën time Enver Hoxhës. Unë, në fakt, prisja nga hapja e dosjeve një trajtim më serioz të një çështjeje të tillë. Ç’domethënë trajtim serioz? Do të thotë që shtypi, që e nxjerr një letër të tillë, duhet të japë një sqarim minimal për të. Është i rëndësishëm si dokument, sepse është letra e një shkrimtari të njohur, e vetmja drejtuar sunduesit të vendit dhe botohet, si rastësisht, pa asnjë informacion sqarues.

– Si ka dalë kjo letër nga Arkivi?

Absolutisht nuk di asgjë. Ishte zhgënjyese. Në dosjen time besoj ky është dokumenti kryesor dhe del kështu pa asnjë përgjegjësi. Krijon lloj- lloj keqkuptimesh.

– Pse e shkruat këtë letër? Çfarë ndodhi, që e shkruat?

Kjo letër është shkruar pasi më kanë thirrur në Komitetin Qendror për të më njoftuar se “motra juaj do të ishte sot në burg, po të mos ishte motra juaj”. Më është thënë se shoqet e saj, një grup shoqesh, janë të gjitha në burg. U thashë se nuk di asgjë. I pyeta pse. Më thanë se flisnin kundër regjimit e, veçanërisht, kundër Enver Hoxhës. Sigurisht që unë në familje nuk bëja biseda të rrezikshme, sidomos me motrën, duke e ditur tipin e saj. Por, kurrsesi nuk e kisha për zakon të flisja për çështje delikate, sepse do kisha marrë veten më qafë shumë vite përpara. Nuk u hodha përpjetë të thosha “jo, janë shpifje”. Dhashë të kuptoj që e merrja me mend që kishte ndodhur kjo gjë, përderisa ishin të gjitha në burg, me përjashtim të motrës sime. Më duket se kam pyetur se sa kohë ka që hetohet dhe më është thënë se hetimi vazhdon prej shumë kohësh. Mora vesh se motra ime ka qenë në hetim për një kohë të gjatë dhe mua s’më ka treguar asgjë.

– Ju nuk e dinit se motra juaj hetohej? Si u ndjetë dhe si reaguat kur e morët vesh?

Vetvetiu pata një ndjesi të keqe për këtë lloj papërgjegjshmërie të një anëtari të familjes, që merr nëpër gojë Enver Hoxhën për gjëra të rrezikshme, duke qenë motra ime. Ka qenë prej saj një mungesë përgjegjshmërie e plotë. Ndaj, me gjakftohtësi, nuk kundërshtova, as nuk thashë asgjë tjetër. Siç e kam shkruar në letër, u thashë “trembeni”. Vete unë i kërkova të mos vinte më në shtëpinë time, meqë ajo hetohej prej kohësh dhe as, së paku, nuk më lajmëroi që të kisha kujdes.

– Është thënë se e keni dëbuar motrën. Si është e vërteta?

Është spekuluar në këtë pikë, pasi unë nuk e kam dëbuar nga shtëpia. Nuk kisha si ta dëboja, kur nuk jetonte me mua, kishte shtëpinë e vet e ajo vinte te unë siç shkon motra te vëllai.

– Për çfarë hetohej motra juaj, çfarë kishte thënë?

E pyeta motrën çfarë kishte ndodhur. Mezi më tregoi diçka. Unë u konsultova me një mikun tim. Më tha se ishte shumë e rrezikshme të flitej për Hoxhën, varej çfarë flitej. Motra nuk më tregoi detaje. I thashë: “Pse s’më ke treguar se shoqet e tua janë në burg? Pse s’më ke thënë, që je thirrur në hetuesi?” E pyeta se çfarë kishte thënë për Enver Hoxhën, por nuk më tregonte. Nuk e di mirë as tani.

– Ishte për ju një problem me sistemin dhe një problem brenda familjes. Çfarë thuhej për E. Hoxhën e për çfarë kishit frikë?

Shikoni, kur thuhej për Enver Hoxhën diçka tepër e rrezikshme dhe delikate kishte disa probleme. Ishin gjëra që edhe vetë ata kishin frikë t’i trajtonin me njëri- tjetrin, sepse u ikte koka. E kjo ka ndodhur disa herë. Këtu ishte djallëzia: për Enver Hoxhën thuheshin lloj- lloje thashethemesh dhe më të rrezikshmet ishin ato që kishin lidhje me figurën morale të tij. Shumë njerëz janë pushkatuar, nuk u gjendet varri dhe nuk u gjenden kockat, për arsye që nuk e di njeri e nuk e thotë njeri.

E dinte vetëm ai, kur e nuhaste, kur e merrte vesh se po flisnin për “atë” gjë ose për “këtë” gjë. Këtu është një nga sekretet më të ndyra të diktaturës shqiptare.

– Për thashetheme të jetës intime të shefave?

Po, për jetën intime, gjë për të cilën unë, duke e ditur se sa e rrezikshme ishte dhe sa pasoja kishte, nuk e flisja as me shokët e ngushtë. Papritur del motra ime e përzier në një bisedë të tillë. Jam i sigurt që e kanë bërë qëllimshëm, e kanë futur qëllimisht për ta përdorur kundër meje.

– Ju keni thënë se “shteti kishte gati arkivolin për mua”, pra edhe kjo, përfshirja e motrës suaj në një bisedë për çështje intime të diktatorit mund të përdorej kundra jush?

Sigurisht. Sepse motra ime ishte një njeri i thjeshtë. Gjithë komplikimi i saj vinte nga unë dhe ajo desh më mori më qafë, derisa lejonte të përfshihej në këto biseda e, më tej as të mos më lajmëronte, kur e pësuan shoqet e saj. Të merrja një masë, të mbrohesha e të sqarohesha.

– Kush e dinte ekzistencën e kësaj letre? Pse doli pikërisht tani?

Enigmë është kush e nxori. E dija vetëm unë, që e kam shkruar. Kush e nxori tani, kush e manovroi tani? Të shkon mendja se ka dalë direkt nga kasaforta e E. Hoxhës, e Nexhmije Hoxhës ose e atij që e ka marrë këtë kasafortë si testament.

– Pse e shkruat letrën?

Sepse ishte më mirë të bëhej, sesa të mos bëhej. Ishte më mirë të thosha se e di këtë gjë, sepse m’u tha, në fund të fundit. Nuk thuhet që kjo është shpifje. E kam marrë të mirëqenë, që shteti shqiptar ka në dorë të thëna të dënueshme të motrës sime. Nuk e kam fshehur një zemërim timin me motrën në atë letër.

– Një pjesë e publikut kupton kushtet, në të cilat u shkrua letra, një pjesë tjetër mund të mendojë se ju e hodhët në flakë motrën tuaj për të shpëtuar veten. Kjo letër mbronte motrën tuaj apo ju dhe atë?

Unë, jo vetëm e mbrojta më këtë letër, por është e vetmja mbrojtje e saj. Në atë që unë them se ka qenë e ç’ekuilibruar psiqikisht, ishte e vetmja mbrojtje që unë mund t’i bëja. Motra ime nuk u fut në burg as dy vjet, as pesë vjet për shkak të kësaj, sepse mbrojtja e parë në çdo sistem gjyqësor në botë, sisteme diktatoriale apo jo, është të thuash se personi nuk është në rregull mendërisht, se është i paaftë mendërisht dhe për këto arsye, pra, nuk është i përgjegjshëm për ato që thotë. Kjo është mbrojtja e çdo krimineli apo vrasësi dhe për mua kjo ishte e vetmja mënyrë për ta mbrojtur atë dhe jo vetëm atë.

– Ju prej vitesh keni kërkuar hapjen e dosjeve. Për ironi, ende pa u hapur, del një letër, që duket sikur hedh baltë mbi ju?

Jo baltë, por më keq se baltë. Është tentuar të më dëmtojnë në atë kohë, por shih, edhe tani prapë. Nuk e duan të vërtetën, nuk e do askush. Krimi i madh nuk e do të vërtetën kurrë. Unë, të mos di letrën e vetme që i kam bërë Enver Hoxhës, të mos di ku është e si del, kush e ka në dorë? Nuk më ka treguar askush deri më sot, nuk dija ku ishte. Ishte hera e parë që e kam parë, sepse ka rreth 40 vjet që është shkruar, madje nuk e mbaja mend mirë.

– Ju flisni në letër se atëkohë ju kanë penguar të merrni pjesë në takimet për skenarin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ju kanë penguar të dilni jashtë me delegacione. Pra, ishit në presion?

Po, sigurisht që isha nën presion. Pas kësaj, ka dhe një dokument tjetër më të llahtarshëm. Është procesverbali i Llambi Ziçishtit. Ministri i Shëndetësisë nën torturë ka dhënë një procesverbal që thotë, se ‘në grupin tonë patëm sukses, e futëm Kadarenë’. Ministri ka vdekur i copëtuar nga tortura, as trupi nuk i gjendet më, i kanë marrë ç’kanë dashur në torturë, aty ai ka thënë që ishte agjent, ai e Mehmet Shehu, unë e të tjerë plot.

A ka ku të vejë më një akuzë për një shkrimtar të njohur, sesa të akuzohet si pjesëtar i një komploti kundër shtetit? Si shpëtoi nga kjo akuzë Kadare, si u vërtetua e kundërta? A u vërtetua ndonjëherë apo është varrosur, bashkë me kockat e Llambi Ziçishtit? Është kaq dëshpëruese ajo që del nga ky fenomen, kjo mungesë serioziteti me dosjet e fshehta, në ato dosjet më të rrezikshme, që kanë të bëjnë direkt me diktatorin.

– Studiuesi Peter Morgan ju ka cilësuar mjeshtër shahu përballë Hoxhës, megjithatë, si mundët të shpëtonit nga këto dyshime e komplote, që ngriheshin dhe ju përfshinin?

Ishin kaq grykëse disa herë, saqë shpesh rrëzonin veten. Këto dosje ishin një propozim që i bëhej udhëheqjes, “nëse doni ta hiqni qafe, ja ku e keni”.

– Kush ju mbronte ju dhe pse?

Kjo është pyetje serioze. A ka një mbrojtje këtu? Ka një mbrojtje. Thashethemi është se e mbronte Enver Hoxha. Edhe unë po ju them po, ashtu është. Vetëm ai kishte fuqi të të mbronte nga akuza të tilla.

– Keni thënë se Enver Hoxha ju mbronte nga vetvetja?

Ai më mbronte nga njerëzit e vet, nga sistemi i vet, nga vetja e vet. Kjo ndodh shpesh me shkrimtarët e njohur. Raportet e tyre me rendet tiranike janë zakonisht të rënda e të ndërlikuara, kështu shpjegohet, ndoshta edhe arsyeja që takimet e tyre me diktatoret janë aq të rralla. Janë shkrimtarët, ndoshta, që i shmangnin, por tiranët bënin të njëjtën gjë. Këmbimet e letrave ose bisedat telefonike janë gjithashtu të rralla. Interpretimet e tyre të vështira dhe shpjegimet kundërthënëse për to vazhdojnë shpesh me vite, si e famshmja bisedë telefonike Stalin- Pasternak. Kur i tregova një mikut tim shqetësimin që do t’i drejtoja një letër Enver Hoxhës, ai u habit që kjo ndodhte për herë të parë. Iu duk jonormale një gjë e tillë, në kuptimin jo të mirë të fjalës.

– A mund të ma shpjegoni këtë shije jo të mirë, sipas mikut tuaj?

Ishte e natyrshme. Në botën komuniste reklamoheshin shpesh letërkëmbimet ose dialogët midis shkrimtareve të njohur dhe shefave të vendit. Kjo bëhej gjithmonë përmes një ngjyrimi festiv. E kundërta, heshtja do të linte përshtypjen e keqe të ftohtësisë. Aq më tepër, një letër e zymtë si kjo.

Në Shqipëri ishte e vështirë të besohej se unë e kam takuar dhe biseduar vetëm një herë me Enver Hoxhën dhe se i kam shkruar vetëm këtë letër aspak festive.

– Të kthehemi te letra. Pse ju drejtuat vetë diktatorit dhe jo dikujt tjetër?

Mendova se ishte më mirë t’ia vija në dukje sunduesit ç’kishte ndodhur, pa e marrë në mbrojtje motrën dhe absolutisht i ndërgjegjshëm, jo vetëm për ta shpëtuar atë, por me atë letër gjithë afera binte, i ulej rëndësia. E gjitha shfryhej, quhej një budallallëk, siç në të vërtetë edhe ishte, sepse të flasësh dhe t’i japësh rëndësi këtij thashethemi për jetën personale të shefit, do të thotë të krijosh një rrezik të kotë. Nuk ishte kjo fatkeqësia e Shqipërisë dhe s’kishte të bënte me hallet e saj.

– Jeni penduar që e keni bërë letrën?

Nuk jam penduar fare. Unë nuk isha përzier kurrë në atë thashethem, pra, nuk kisha marrë pjesë, nuk e dija dhe nuk fshihja asgjë. Unë dija aq sa di sot. Kuptoj se ka njerëz që janë marrë me këtë dosje të fshehtë, të llahtarshme.

– E keni shkruar vetëm, keni pyetur njeri? Në çfarë situate e keni shkruar?

Vetëm krejtësisht. Kam biseduar me Helenën, me siguri, sepse nuk lija asgjë pa biseduar me të. Madje, as nuk e kam korrigjuar. Nuk kam bërë dy a tri kopje, sepse nuk duhej. Nuk kisha as ku ta shtypja dhe e dërgova të shkruar me dorë.

– Keni marrë përgjigje për këtë letër nga Enver Hoxha?

Jo, nuk më ka kthyer përgjigje.

– Dosjet priten të hapen nga Autoriteti i ri i krijuar. Megjithatë, prej dosjes suaj del një letër e panjohur më parë. Pse tani?

Me sa duket, në Shqipëri ende ka njerëz që mendojnë se mund ta mbrojnë ende diktaturën. Kur hapen dosjet e fshehta të një tiranie, hapen dosjet e fshehta kundër saj. Me sa duket, njerëzit që kanë qenë të përzier në këto krime duan të bëjnë të kundërtën.

– A e menduat atë kohë që do t’ju nxirrte problem letra në të ardhmen?

Jo, nuk e kam menduar fare. Unë kam bërë një letër krejtësisht të çiltër. Ju do të thoni, a mund të jesh i çiltër me një diktator? Po, mundet deri diku. Unë nuk i them atij “sa mirë e ke bërë, që e ke llahtarisur motrën time deri në atë shkallë”, nuk them asgjë të tillë. T’i them p.sh. sa mirë që e përforcon luftën e klasave, me demek, sa bukur që po sundon e të tjera si këto. As kam kërkuar, e as nuk kam hedhur poshtë asgjë.

Me sa dukej, shokut tim, me të cilin bisedova punën e letrës, i ishte dukur se kishte qenë një pakujdesi, për të mos thënë një gabim nga ana ime, që s’kisha gjetur ndonjë rast t’i shkruaja ndonjë përshëndetje, një urim apo diçka të ngjashme. S’do të më vinte çudi, që të më thoshte me ironi: shyqyr që paske gjetur më në fund një shkak për t’i shkruar.

– Këto ditë shtypi vazhdon të shkruajë për historinë e letrës suaj. Mendimi i përgjithshëm është se ju, ndoshta bezdiseni nga zhurma të tilla. Si është e vërteta?

Bezdisje apo jo, e vërteta qëndron midis të dyjave. Bashkë me dilemën e përhershme: a është mirë që të ketë gjithmonë një sqarim të gjërave? Sqarimi qëllon që e zmadhon zhurmën dhe shumë njerëz parapëlqejnë heshtjen. Nga ana tjetër, një personazh ka një lloj përgjegjësie përpara publikut, në fund të fundit, në gjuhën shqipe fjala përgjegjësi, ashtu si në gjuhët kryesore të Europës, vjen nga fjala “përgjigje”. Pra, përgjigjja gjithashtu është e nevojshme. Shpresoj që biseda me ju të ketë hyrë në punë, veç të tjerash, për një gjë të tillë. /Intervistoi Fatmira Nikolli/Gazeta Shqiptare/