Ja pse nuk do të votojë për Shpend Ahmetin

Shkruan:

Publikuar më 12.11.2017

Xhevdet POZHARI

Shpend Ahmetin nuk do ta votoja për kryetar të komunës së Prishtinës sepse kështu do të rreshtohesha në një krah me Milaim Zekën, Berat Buzhalën, Arbana Xharrën dhe të ngjashëm të cilët të ardhmen e kryeqytetit e masin me thellësinë e xhepit dhe interesave konkrete, e jo pse e kanë hallin e zhvillimit të tij.

Shpend Ahmetin nuk do t’ia jepja votëbesimin për një mandat të dytë ngaqë subjekti i tij në koalicion me AKR’në kanë shumicën dërmuese në asamblenë komunale dhe tani koalicioni nën “hije” LDK-PDK nuk do të ketë mundësinë që t’i bllokojë planet rregullative në përputhje me planin urbanistik dhe kërkesat e qytetarëve.

Shpend Ahmetin nuk do ta votojë për kryetar të Prishtinës sepse dua që të pres në radhë të gjata në sportelet e komunës së Prishtinës dhe të jap një shumë parash për një certifikatë të lindjes. Nuk do ta votoja sepse më pengon rregulli dhe disiplina në administratën e Komunës së Prishtinës dhe kur shërbimet i kryej për 5 min për cilindo dokument, s’kam si të ankohem se ky shtet nuk bëhet!

Shpend Ahmeti nuk e meriton të jetë edhe një mandat në krye të Prishtinës sepse dua që fëmija im në çerdhe të ushqehet me pashtetë e jo me ushqim cilësor të përzgjedhur me nutricionistë, nuk dua që fëmija im të solidarizohet në shkollë me të gjithë shokët e tjerë dhe të shërbehen të barabartë me një kifle dhe qumësht falas.

Definitivisht, Shpend Ahmetin nuk do ta votoja sepse nuk dua të ndjehem keq në spitalet private kur, qoftë edhe si vizitor e shoh transformimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe shpejtësinë me të cilën ofrohen shërbimet.

Shpend Ahmeti nuk e meriton një mandat të dytë në krye të Prishtinës sepse më mungon kaosi urbanistik, ka filluar të mi vret sytë pamja e hapur përballë banesës dhe pse aty, fare pranë hundës time, mos të jetë një ballkon i një banese përballë!

Shpend Ahmetin nuk do ta votoja sepse nuk u korruptua edhe atëherë kur të gjithë të korruptuarit dhe të komprementuarit u bënë bashkë që ta luftojnë.

Andaj, nuk do ta votojë Shpend Ahmetin sepse dua t’ia vras shpresën Prishtinës….

Vetëm kështu përafërsisht mund të shpjegohet mendësia e dikuj që nuk do ta votonte një kryetar që shpallet nga të tjerët si kryetari më i guximshëm në Evropë dhe qoftë edhe për një çast do të kishte hamendje midis tij dhe një marionete të një partie e cila e shkatërroi kryeqytetin për më shumë se në dekadë!