Pas shkarkimit të Marko Zvërlevskit do të duhet që të emërohet një ushtrues detyre për këtë post derisa të zgjidhet kryeprokurori i ri. Por, fillimisht do të pritet që shkarkimi i Zvërlevskit të shpallet në Gazetën Zyrtare. Këshilli i Prokurorëve ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbajë një seancë ku do të vendoset për këtë çështje.
Pritet që në këtë pozitë të jetë prokurori Xhelal Bajrami, i cili e merr keëtë përgjegjësi sipas orarit vjetor. Shpalljen për emërimin e kryeprokurorit të re e bën Qeveria, ndërsa emri zgjidhet nga Kuvendi. Por, nuk pritet që kjo procedurë të bëhet deri pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë, pas 12 ditëve debat dhe replika të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Kuvendi dje arriti që me 64 vota pro dhe asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, të shkarkojë kryeprokurorin Marko Zvërlevski. Deputetët e VMRO-DPMNE-së mbrëmë morën vendim të tërheqje nga diskutimet maratonike pas mendimit të Komisionit anketues, se nuk mund të emërohen dhe shkarkohen funksionerë pas shpalljes së garave zgjedhore. /SHENJA/