U.d. drejtoreshë e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska, parashtroi padi penale kundër paraardhësit të saj, Vllatko Popovskit, dhe kundër udhëheqëses së Qendrës për Punësim, Sllobodanka Aleksovskas, për shkak se kanë lejuar katër administratorë për muaj të tërë të marrin paga pa u paraqitur në punë. Sipas Jovanovskës, në këtë mënyrë administratorët kanë dëmtuar buxhetin e Agjencisë për një milion denarë.
“Në rrjedhë e sipër janë procedurat ligjore për të vendosur fajësinë dhe përgjegjësinë se si për personat të cilët kanë qenë të punësuar janë paguar dhe nuk kanë ardhur në punë, si dhe për udhëheqësit e tyre të drejtpërdrejtë. Nga këta individë gjithashtu do të kërkohet që të mbulojnë dëmin financiar. Aktualisht është duke u zhvilluar një revizion për të përcaktuar shumën e fondeve që duhet të kthehen”,- deklaroi u. d. drejtoreshë e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska.
Për Sllobodanka Aleksovskan, udhëheqësen e Qendrës për punësim në Qytetin e Shkupit dhe njëherit këshilltare e VMRO-DPMNE-së në sallën e Bashkisë, Jovanovska tha se procedimet disiplinore ishin duke u zhvilluar dhe më pas është pezulluar sepse ajo përdorte buxhetin e Agjencisë për furnizim me produkte për nevojat e saj personale. Megjithatë, procedura disiplinore u ndalua sepse Aleksovska ka qenë në pushim mjekësor.