KOK-u ndanë rreth 21 mijë Euro për 16 federata olimpike

Auto & Tech | Publikuar më 13.09.2017 në ora 17:02

Në kuadër të mbështetjes për Federatat Sportive në Kosovë, Komiteti Olimpik i Kosovës ka fituar grant në vlerë rreth 21 mijë Euro nga Komiteti Olimpik Evropian.

Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, në mbledhjen e mbajtur më 12 shtator 2017 vendosi që këtë shumë t’ua ndajë 16 federatave olimpike, bazuar në tri kritere: të arriturat në Kampionate Evropiane, Botërore dhe Olimpike, federatat që zhvillojnë aktivitete të shumta të organizuara në vend dhe në arenën ndërkombëtare, si dhe ato që kanë organizime të tilla në vijim dhe federatat që kanë më shumë nevojë.

Bazuar në kriterin e parë, BE vendosi që me nga 2 mijë euro të mbështesë Federatën e Xhudos, Boksit dhe të Karatesë.

Bazuar në kriterin e dytë, BE vendosi që me nga 1 500 euro të mbështesë Federatën e Atletikës, Notit dhe të Pingpongut.

Ndërsa, sipas kriterit të tretë, me nga 1 mijë Euro mbështeten Federatat e Çiklizmit, Mundjes, Taekwondos, Peshëngritjes, Tenisit, Skitarisë, Shigjetarisë, Shenjëtarisë, Volejbollit, Gjimnastikës, ndërsa për Pentatlonin Modern u vendos të ndahen 500 euro.

Kujtojmë, që granti i fituar nga KOK, vjen si rezultat i përshtypjeve të mira për KOK-un të Pamela Vipond zv/drejtoreshë e SO të KON dhe Gianluca de Angelis, menaxher administrativ në Komitetin Olimpik Evropian, të cilët vizituan KOK-un në korrik të këtij viti.