Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta gjatë vizitës në SHBA zhvilloi një takim me kryetarin e komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, Pete Sessions. Shefi i Ligjeve në Kongres deklaroi se me presidentin e ri, SHBA do të rrisë akoma më shumë bashkëpunimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
“Donald Trump do të bashkëpunojë ngushtë për t’i forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Jam i bindur se 2017-ta do të jetë një vit i suksesshëm” deklaroi kongresmeni Sessions.
Ai vlerësoi miratimin konsensual të reformës në drejtësi.
“SHBA mbështet angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Një Amerikë më e fortë kërkon një Shqipëri të fortë. SHBA, e bindur se bashkëpunimi me shqiptarët forcon Shqipërinë dhe rajonin.
Krenar që jeni sërish për vizitë në SHBA për të riafirmuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe për t’i çuar ato më përpara”, u shpreh ai.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se Shqipëria është e vendosur në implementimin e reformës në drejtësi përmes Vetting-ut
“Ne mbështetemi te SHBA-të dhe do të punojmë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona
Vizita juaj e ardhshme në Shqipëri do të shërbejë për të përforcuar partneritetin strategjik midis SHBA-ve dhe Shqipërisë” përfundoi ai.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ndodhet në një vizitë në SHBA, pasi do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Trump.
19 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)