Kosova dhe Kroacia me marrëveshje kulturore

Kulturë | Publikuar më 13.11.2017 në ora 14:36

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në një takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Maria Kapitanovic.

Të dy biseduan rreth Marrëveshjes kulturore mes Kosovës e Kroacisë si dhe shkëmbimit të përvojave kulturore dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm mes dy vendeve.

Sipas komunikatës së dërguar nga MRKS, Gashi falënderoi ambasadoren kroate të akredituar në Prishtinë, Maria Kapitanovic, për mbështetjen e vazhdueshme dhënë shtetit të Kosovës nga shteti dhe populli korat nëpër të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë e veçanërisht përkrahjen në fushat që mbulon MKRS-ja.

Ai e njoftoi ambasadoren se MKRS-ja është e gatshme të përkrahë projektet konkrete për promovimin dhe avancimin e shkëmbimit të përvojave të përbashkëta të dy vendeve duke potencuar edhe mbështetjen e komunitetit kroat që jeton në Kosovë.

Nga ana tjetër, ambasadorja kroate Maria Kapitanovic, e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe vlerësoi gatishmërinë e ofruar për të bashkëpunuar me qëllim të promovimit të vlerave kulturore të dy vendeve.

Ajo shprehu kënaqësinë për arritjet dhe sukseset e sportit kosovar sidomos në procesin e ndërkombëtarizimit, duke theksuar se Kroacia vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në të gjitha proceset e shtetndërtimit, veçanërisht në kuadër të kontributit për procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.