Kosova triumfon në Tallinn me dy çmime për filmin e Blerta Zeqirit

Kulturë | Publikuar më 02.12.2017 në ora 21:18

Filmi i Blerta Zeqirit, “Martesa” ka triumfuar në festivalin prestigjioz POFF | Tallinn Black Nights Film Festival me çmimin e kritikës ‘Fipresci Prize’, si dhe me çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition” në Gala mbrëmjen e organizuar sonte në Tallinn të Estonisë.

Mjaft e lumtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, regjisorja falënderoi jurinë për çmimet dhe u shpreh: “Premiera e filmit në këtë festival ishte një eksperiencë e mrekullueshme”.

“Këtë film e kam bërë për dashurinë e pamundur mes dy njerëzve të gjinisë së njëjtë, sepse për mua ndalimi i dashurisë në emër të një norme shoqërore është absurde. Dashuria nuk është krim përderisa ndalimi i saj është, dhe për këtë arsye këtë çmim ia kushtoj ndjenjës më të bukur – dashurisë”.

Ndërsa producenti Keka Kreshnik Berisha ndër tjerash falënderoi të gjithë ekipin për punën fantastike që kanë bërë me shumë pasion e dashuri.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku tha: “Ky është një sukses i plotmerituar për ekipin e filmit dhe një lajm shumë i mirë për kinematografinë e Kosovës”.

“Martesa” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Shqipërisë me producent Keka Kreshnik Berisha dhe Eno Milkani, të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, ndërsa në rolet kryesore janë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.

Ky film premierën në Kosovë do ta ketë në fillim të muajit shkurt.